Bursa Shqiptaro-Kosovare e Energjisë Elektrike (ALPEX) ka hapur konsultimin publik për ndryshimet e propozuara në Rregullat e Tregut të Energjisë Elektrike, duke ftuar anëtarët e bursës dhe palët e tjera të interesuara të paraqesin komentet dhe propozimet e tyre deri më 8 nëntor 2026.
Paketa e publikuar për konsultim përfshin katër dokumente: Kushtet e Përgjithshme, Procedurën e Tregtimit, Procedurën e Klerimit dhe Shlyerjes, si dhe Përkufizimet. ALPEX ka publikuar gjithashtu një tabelë në formatin Excel, ku paraqiten ndryshimet e propozuara në dokumentet përkatëse, përcjell Energy Monitor.
Palët e interesuara mund t’i dërgojnë komentet dhe sugjerimet në adresën elektronike, në formatin Word dhe me funksionin “Track Changes” të aktivizuar, në mënyrë që propozimet të identifikohen dhe të shqyrtohen më lehtë.
Dokumentet e rishikuara dhe udhëzimet për pjesëmarrje në konsultim janë publikuar në faqen zyrtare të ALPEX-it.
Konsultimi zhvillohet në një periudhë kur ALPEX po zgjeron infrastrukturën dhe shërbimet e tregut. Në shtator, bursa njoftoi bashkëpunimin me Nord Pool për ofrimin e platformave të reja të tregtimit dhe klerimit, si dhe kalimin drejt produkteve me intervale 15-minutëshe në tregjet për ditën në vijim dhe brenda ditës, përcjell Energy Monitor.
Zhvillimi i rregullave dhe i infrastrukturës së tregut vjen në një kohë kur aktiviteti tregtar në bursën e përbashkët të Kosovës dhe Shqipërisë është rritur ndjeshëm. Në fund të tetorit, ALPEX njoftoi se vëllimi kumulativ i tregtimit kishte kaluar për herë të parë 2 teravat-orë brenda një viti kalendarik.
ALPEX ka ftuar të gjithë pjesëmarrësit e tregut që të kontribuojnë në procesin e konsultimit, me synimin për të mbështetur zhvillimin e mëtejshëm të një tregu transparent, konkurrues dhe efikas të energjisë elektrike.



