Home / Lajme / Kosova / Tahiri: Kuvendi shtyn për javën e ardhshme debatin për gjendjen në sektorin e energjisë

Tahiri: Kuvendi shtyn për javën e ardhshme debatin për gjendjen në sektorin e energjisë

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka kërkuar debat parlamentar për gjendjen në sektorin e energjisë elektrike, duke ngritur shqetësime për çmimet e larta të importit dhe problemet me furnizim.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka bërë të ditur se pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit është arritur pajtim që debati të mos mbahet gjatë kësaj jave, por të shtyhet për javën e ardhshme.

Tahiri ka kritikuar gjendjen në sektorin energjetik, duke pretenduar se Kosova po e blen energjinë elektrike me çmimin më të lartë në Ballkanin Perëndimor. Ai ka përmendur edhe mungesën e prodhimit nga njësia B1 e Termocentralit Kosova B dhe problemet me furnizim në disa qytete, përcjell Energy Monitor.

“Sot Kosova është duke blerë me çmimin më të lartë të energjisë në nivel të Ballkanit Perëndimor, blloku më i rëndësishëm B1 është jashtë funksionit. Sot Kosova në shumicën e qyteteve gjendet në terr”, ka deklaruar Tahiri.

Kostoja e importeve mbetet një nga çështjet kryesore të sektorit. Sipas të dhënave të paraqitura nga Atlas Institute, Kosova ka paguar 1.03 miliard euro për energjinë elektrike të importuar nga janari i vitit 2021 deri në shtator të vitit 2026.

Ndërkohë, njësia B1 e Termocentralit Kosova B është jashtë funksionit që nga 8 prilli dhe, sipas të dhënave të publikuara më herët nga Atlas Institute, pritet të rikthehet në punë më 9 dhjetor 2026.

AAK-ja kërkon që Kuvendi të zhvillojë debat për të diskutuar gjendjen e furnizimit, kostot e energjisë së importuar dhe problemet në sektorin energjetik. Debati pritet të mbahet javën e ardhshme, pas shtyrjes së dakorduar në Kryesinë e Kuvendit.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com