Home / Lajme / Rajoni / Pa central diellor apo me erë, bateria e re e Shibenikut shërben për balancimin e rrjetit

Pa central diellor apo me erë, bateria e re e Shibenikut shërben për balancimin e rrjetit

Kroacia ka vënë në funksion një sistem të baterive për ruajtjen e energjisë elektrike me kapacitet prej 60 MW dhe kapacitet magazinimi prej 120 MWh, i cili është lidhur drejtpërdrejt me rrjetin e transmetimit. Projekti në Shibenik, i zhvilluar nga NextGrid Energy, përfaqëson një investim prej rreth 60 milionë eurosh dhe është projektuar për ofrimin e shërbimeve të balancimit të sistemit elektroenergjetik, pa qenë i lidhur me ndonjë central të veçantë të energjisë së ripërtëritshme.

Projekti u ndërtua në kompleksin industrial IMPOL-TLM në Shibenik dhe përbëhet nga njësi baterish Tesla Megapack XL, të lidhura me rrjetin e transmetimit me tension prej 110 kilovoltësh (kV). Sistemi mund të marrë ose të japë energji elektrike me fuqi të plotë prej 60 MW për dy orë rresht.

Kapaciteti i plotë i instalimit është kontraktuar nga Operatori Kroat i Sistemit të Transmetimit (HOPS) për shërbimet e rikthimit automatik të frekuencës (aFRR), që nga shtatori i vitit 2026. Këto shërbime ndihmojnë në ruajtjen e ekuilibrit ndërmjet prodhimit dhe konsumit të energjisë elektrike, duke mundësuar reagim të shpejtë kur në sistem shfaqen devijime, përcjell Energy Monitor.

Rëndësia e projektit lidhet edhe me rritjen e prodhimit nga burimet e ripërtëritshme. Prodhimi nga centralet diellore dhe ato me erë ndryshon në varësi të kushteve atmosferike, ndërsa bateritë mund të ofrojnë fleksibilitet shtesë për operatorët e rrjetit. Ato mund të ruajnë energjinë kur ka tepricë dhe ta kthejnë në rrjet kur kërkesa rritet ose prodhimi nga burimet e ripërtëritshme bie.

Një veçori e BESS Shibenik është modeli i tij komercial. Ndryshe nga projektet e lidhura drejtpërdrejt me një central të energjisë së ripërtëritshme ose me skema të garantuara të blerjes së energjisë, ky instalim mbështetet në të ardhurat nga tregu i energjisë elektrike dhe shërbimet ndihmëse të rrjetit. Kjo nënkupton se investitorët bartin rrezikun e tregut dhe se përfitueshmëria varet nga kërkesa për kapacitete të ruajtjes dhe shërbime të balancimit.

Investimi prej rreth 60 milionë eurosh është financuar përmes një kombinimi të kapitalit privat dhe mbështetjes evropiane. Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe fondet pensionale të Raiffeisen në Kroaci kanë investuar nga 16.8 milionë euro në kapitalin e projektit, ndërsa pjesë e financimit është edhe kompania IE-Energy.

Projekti ka përfituar gjithashtu miratimin për grante deri në 19.8 milionë euro nga Fondi i Modernizimit i Bashkimit Evropian. Megjithatë, pas optimizimit të projektit dhe uljes së kostove të ndërtimit, pritet të shfrytëzohen rreth 15 milionë euro nga kjo mbështetje, përcjell Energy Monitor.

Për BERZH-in, pjesëmarrja në BESS Shibenik shënon investimin e parë në kapital në një sistem të pavarur të ruajtjes së energjisë me bateri, që operon mbi baza tërësisht komerciale.

Drejtori i NextGrid Energy, Zeljko Smitran, ka thënë se zhvillimi i projektit kërkoi zgjidhjen e disa çështjeve të reja teknike dhe rregullatore, veçanërisht lidhjen e drejtpërdrejtë me rrjetin e transmetimit dhe integrimin në tregun e energjisë elektrike dhe atë të shërbimeve ndihmëse.

Pas funksionalizimit të instalimit në Shibenik, kompania synon të zhvillojë projekte të tjera të baterive dhe të zgjerojë aktivitetin në shërbimet e fleksibilitetit të sistemit elektroenergjetik.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com