Rreth 500 familje në pesë komuna të Maqedonisë së Veriut pritet të përfitojnë kondicionerë inverterë për ngrohje, përmes një skeme subvencionimi që synon zëvendësimin e stufave dhe koftorëve me dru me sisteme më efikase dhe më pak ndotëse. Masa synon njëkohësisht të lehtësojë barrën e shpenzimeve të energjisë për familjet me gjendje të rënduar ekonomike dhe të përmirësojë cilësinë e ajrit, veçanërisht gjatë sezonit të dimrit.
Projekti për përmirësimin e cilësisë së ajrit ambiental financohet nga Agjencia Suedeze për Zhvillim dhe realizohet në bashkëpunim ndërmjet Ministrisë së Energjetikës, Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe pesë komunave pjesëmarrëse.
Në mesin e tyre janë Gostivari, Kumanova, Kavadari, Struga dhe Strumica. Secila komunë pritet të ketë nga 100 familje përfituese, duke e çuar numrin e përgjithshëm në rreth 500, përcjell Energy Monitor.
Në Gostivar, përparësi do t’u jepet familjeve që përballen me vështirësi ekonomike dhe nuk kanë mundësi financiare të investojnë vetë në pajisje alternative për ngrohje.
Zudi Xhelili, udhëheqës i Sektorit për Mjedis Jetësor në Komunën e Gostivarit, ka thënë se synimi është që mbështetja të arrijë pikërisht te qytetarët që kanë më së shumti nevojë për të.
“Pikërisht këtë kategori të qytetarëve, të cilët nuk kanë buxhet për ta përballuar blerjen e inverterëve, do të mundohemi ta mbështesim me pajisje për ngrohje, në mënyrë që njëkohësisht t’u mundësojmë ngrohje më ekologjike dhe të kontribuojmë për ajër më të pastër në komunën tonë”, ka deklaruar Xhelili, transmeton TV Globi – Gostivar.
Kriteret për përzgjedhjen e familjeve ende nuk janë përfunduar. Ministria e Energjetikës, në bashkëpunim me ekspertë dhe përfaqësues të komunave, pritet të hartojë metodologjinë e përzgjedhjes, duke u mbështetur në kriteret kombëtare për identifikimin e varfërisë energjetike, raporton Energy Monitor.
Sipas planifikimit aktual, thirrja për aplikim pritet të hapet gjatë muajve shkurt ose mars të vitit 2027. Pas përfundimit të aplikimeve do të bëhet përzgjedhja e përfituesve, ndërsa më pas do të organizohet furnizimi dhe instalimi i pajisjeve.
Zëvendësimi i stufave dhe koftorëve me dru me kondicionerë inverterë synon të reduktojë emetimet e ndotësve që krijohen nga djegia e biomasës për ngrohje, përfshirë grimcat e imëta PM, të cilat kontribuojnë në ndotjen e ajrit në zonat urbane gjatë muajve të ftohtë.
Masa ka rëndësi edhe nga këndvështrimi i varfërisë energjetike, pasi familjet me të ardhura të ulëta shpesh kanë më pak mundësi të investojnë në sisteme moderne të ngrohjes, edhe kur ato mund të ulin konsumin dhe shpenzimet në afat më të gjatë.
Megjithatë, subvencionimi ende nuk ka filluar. Familjet e interesuara duhet të presin hapjen e thirrjes publike, e cila parashihet për fillimin e vitit 2027.



