Turqia po zgjeron aktivitetet e kërkimit dhe prodhimit të naftës dhe gazit jashtë vendit, me projekte të synuara në Pakistan, Somali, Libi dhe Lindjen e Mesme. Anija kërkimore sizmike Oruc Reis është nisur drejt Pakistanit, ndërsa Ankaraja po shqyrton mundësi bashkëpunimi në Siri, Irak dhe Liban.
Ministri turk i Energjisë, Alparslan Bayraktar, tha se kompania shtetërore TPAO po kërkon partneritete me kompani ndërkombëtare dhe po shqyrton blerjen e aseteve energjetike jashtë vendit, raporton Anadolu.
Turqia tashmë po kryen shpime në ujërat e Somalisë dhe ka siguruar dy blloqe kërkimi në Libi. Në planet e zgjerimit përfshihen edhe Sudani dhe Bangladeshi.
Kjo strategji është pjesë e objektivave energjetike të Turqisë deri më 2040, që synojnë uljen e varësisë nga importet e hidrokarbureve. Ankaraja synon të reduktojë kërkesën e parashikuar për naftë nga 1.2 milionë në 720 mijë fuçi në ditë, ndërsa kërkesën për gaz ta mbajë në rreth 57 miliardë metra kub në vit.
Turqia po synon gjithashtu zgjerimin e infrastrukturës së transportit të naftës dhe gazit, përfshirë rritjen e kapacitetit të tubacionit Irak–Turqi nga 1.5 në 2.5 milionë fuçi në ditë dhe mbështetjen për një gazsjellës trans-kaspik që do të sillte gazin e Turkmenistanit drejt tregjeve evropiane.



