Maqedonia e Veriut planifikon të përfundojë deri në mesin e vitit 2027 pjesën e saj të interkonektorit të gazit me Greqinë, ndërsa lidhja me Serbinë synohet të përfundojë gjatë vitit 2028.
Këto afate i bëri të ditura ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, në takimin ministror të Nismës për Ndërlidhjen Energjetike të Evropës Qendrore dhe Juglindore (CESEC), të mbajtur në Zagreb.
Sipas saj, të dy projektet janë pjesë e përpjekjeve për forcimin e sigurisë energjetike dhe diversifikimin e burimeve të furnizimit me gaz natyror. Interkonektorët do t’i mundësojnë Maqedonisë së Veriut qasje në drejtime të reja furnizimi dhe lidhje më të drejtpërdrejtë me Korridorin Vertikal të Gazit.
Lidhja me Greqinë është veçanërisht e rëndësishme për shkak të mundësisë së qasjes në gazin që transportohet përmes infrastrukturës greke, përfshirë terminalet e gazit natyror të lëngshëm (LNG).
Ndërkohë, interkonektori me Serbinë do të krijojë një drejtim shtesë për transportin dhe furnizimin me gaz natyror, duke rritur fleksibilitetin e sistemit rajonal. Projekti po zhvillohet në të dyja anët e kufirit, ndërsa synimi i autoriteteve serbe është përfundimi i tij në tremujorin e parë të vitit 2028.
Bozhinovska bëri të ditur gjithashtu se Maqedonia e Veriut ka përgatitur studimin e parë kombëtar për hidrogjenin, i cili do të shërbejë si bazë për vlerësimin e mundësive të prodhimit, transportit dhe përdorimit të tij në të ardhmen.
Në takimin e CESEC-ut në Zagreb u diskutua edhe për integrimin e tregjeve energjetike, investimet në burimet e ripërtëritshme dhe zhvillimin e infrastrukturës rajonale.



