Lidhja e Bizneseve të Kosovës ka paralajmëruar se rritja e kostos së energjisë elektrike për ndërmarrjet që operojnë në tregun e lirë mund të ndikojë në shtrenjtimin e produkteve dhe shërbimeve nga 4 deri në 10 për qind.
Në një reagim publik, kjo organizatë ka thënë se ka pranuar ankesa nga biznese të mëdha, të cilat po përballen me rritje të kostove operative pas kalimit në tregun e lirë të energjisë elektrike, përcjell Energy Monitor.
Sipas vlerësimit të Lidhjes, barra shtesë financiare mund të reflektohet drejtpërdrejt në çmimet për konsumatorët, ndërsa ndikimi pritet të jetë veçanërisht i madh te prodhuesit vendorë.
Organizata ka paralajmëruar se kostot më të larta të energjisë mund t’ua vështirësojnë prodhuesve konkurrimin me produktet e importuara, duke rrezikuar zvogëlimin e aktivitetit ekonomik dhe vendet e punës.
Lidhja e Bizneseve vlerëson se kalimi në tregun e lirë, pa një plan të qartë tranzicioni dhe masa mbështetëse nga institucionet, ka krijuar pasiguri dhe shpenzime shtesë për ndërmarrjet.
Sipas saj, pasojat mund të barten edhe te qytetarët, përmes rritjes së çmimeve të produkteve dhe shërbimeve dhe zvogëlimit të fuqisë blerëse.
Përballë kësaj situate, Lidhja e Bizneseve i ka kërkuar Qeverisë dhe autoriteteve rregullatore që të bëjnë një vlerësim urgjent të ndikimit të kostos së energjisë në sektorin privat, të shqyrtojnë mekanizmat për lehtësimin e barrës financiare për ndërmarrjet dhe të ndërmarrin masa për mbrojtjen e prodhimit vendor.
Organizata ka theksuar se energjia elektrike është një nga faktorët kryesorë të prodhimit dhe zhvillimit ekonomik, duke kërkuar që prodhuesit vendorë të mos vendosen në pozitë të pafavorshme në raport me importuesit.



