Home / Lajme / Kosova / Projekti i baterive prej 340 MWh shtyhet për vitin 2029, KOSTT-i dhe KRE-ja do të ndajnë operimin

Projekti i baterive prej 340 MWh shtyhet për vitin 2029, KOSTT-i dhe KRE-ja do të ndajnë operimin

Projekti i madh i ruajtjes së energjisë me bateri në Kosovë, i financuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Qeveria e Kosovës, pritet të hyjë në funksion vetëm në vitin 2029, një vit më vonë se afati fillestar. Përveç vonesave në prokurim dhe ndërtim, mbetet e papërfunduar edhe korniza ligjore që do të përcaktojë mënyrën e operimit të sistemeve dhe pjesëmarrjen e tyre në tregun e energjisë.

Projekti parasheh instalimin e dy sistemeve me fuqi të kombinuar prej 170 megavatësh (MW) dhe kapacitet ruajtës prej 340 megavat-orësh (MWh). Investimi është pjesë e Programit Kompakt të Kosovës, me vlerë të përgjithshme prej 236.7 milionë dollarësh, që zbatohet nga Millennium Challenge Account (MCA-Kosova) në kuadër të marrëveshjes me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC).

Sipas përgjigjeve të MCA-Kosovës dhe Ministrisë së Ekonomisë për Buletinin Ekonomik, vlerësimi i ofertave të dy kompanive amerikane pritet të përfundojë deri në fund të vitit 2026, ndërsa fillimi i ndërtimit është planifikuar për vitin 2027. Operimi i sistemeve, që fillimisht ishte paraparë për gushtin e vitit 2028, tashmë është zhvendosur për vitin 2029, përcjell Energy Monitor.

MCA-Kosova nuk ka dhënë një afat më të saktë për përfundimin e procedurave të përzgjedhjes së operatorit fitues. Ndërkaq, Ministria e Ekonomisë nuk ka sqaruar konkretisht se cilët faktorë kanë ndikuar në shtyrjen e afatit fillestar.

Një tjetër sfidë lidhet me rregullimin e funksionimit të baterive. Projektligjet e sektorit të energjisë, të cilat përfshijnë edhe sistemet e ruajtjes së energjisë elektrike, janë ende në procedurë shqyrtimi në Kuvend. ZRRE-ja ka bërë të ditur se pas miratimit të tyre do të përcaktohen kompetencat dhe detyrimet e institucioneve, si dhe aktet nënligjore që nevojiten për funksionimin e këtyre sistemeve.

Dy sisteme, dy operatorë

Pjesa më e madhe e kapacitetit do të ndërtohet në Istog, ku është planifikuar një sistem me fuqi prej 125 MW dhe kapacitet ruajtës prej 250 MWh. Ky sistem do të jetë në pronësi dhe nën operimin e Korporatës së Ruajtjes së Energjisë (KRE), ndërmarrje publike e themeluar për menaxhimin e këtij investimi, informon Energy Monitor.

Sistemi tjetër, me fuqi prej 45 MW dhe kapacitet prej 90 MWh, do të ndërtohet në Sojevë të Ferizajt dhe do të jetë në pronësi dhe operim të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT).

Dallimi mes dy sistemeve nuk është vetëm në madhësinë e tyre, por edhe në funksionet që do të kryejnë. Bateria në Ferizaj do të përdoret kryesisht për rezervën e rikthimit të frekuencës (FRR), duke ndihmuar në reagimin automatik ndaj ndryshimeve mes prodhimit dhe konsumit të energjisë elektrike.

Ndërkaq, sistemi në Istog do të ketë funksione më të gjera, përfshirë shërbimet balancuese, rezervat ndihmëse dhe arbitrazhin energjetik. Ky i fundit nënkupton ruajtjen e energjisë kur çmimet janë më të ulëta dhe kthimin e saj në rrjet kur çmimet ose kërkesa janë më të larta.

KRE-ja është ende në fazën fillestare të operacionalizimit. Ministria e Ekonomisë ka bërë të ditur se përgjegjësitë konkrete të korporatës dhe modalitetet e operimit janë në proces të përcaktimit, ndërsa bashkëpunimi me KOSTT-in dhe institucionet e tjera do të rregullohet përmes marrëveshjeve përkatëse.

Shqetësimet për tarifat dhe kostot e konsumatorëve

Përveç çështjeve institucionale, një nga temat e rëndësishme që duhet të zgjidhet para funksionalizimit të baterive është mënyra se si do të trajtohen kostot e tyre në tregun e energjisë elektrike.

Në komentet për Projektligjin për Energjinë Elektrike, Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) ka paralajmëruar për rrezikun e tarifimit të dyfishtë të sistemeve të ruajtjes së energjisë.

Sipas INDEP-it, bateritë duhet të trajtohen ndryshe nga konsumatorët e zakonshëm, pasi energjinë që e blejnë nuk e shfrytëzojnë përfundimisht, por e ruajnë për ta kthyer më vonë në rrjet. Për këtë arsye, organizata kërkon që struktura tarifore të shmangë ngarkimin dy herë të së njëjtës kosto.

Instituti gjithashtu ka ngritur shqetësime për mundësinë që operatorët e rrjetit të jenë pronarë të sistemeve të baterive, duke kërkuar që para lejimit të përjashtimeve të tilla të shqyrtohet mundësia e ofrimit të shërbimeve nga investitorë të pavarur.

Ndërkohë, Ministria e Ekonomisë pret që sistemet e baterive të kontribuojnë në uljen e nevojës për importe, balancimin e sistemit elektroenergjetik dhe reduktimin e kostove për konsumatorët. Megjithatë, ministria nuk ka dhënë vlerësime konkrete për kursimet e pritshme apo ndikimin e tyre në tarifat e energjisë.

As ZRRE-ja nuk ka paraqitur ende një vlerësim përfundimtar të kostove të operimit dhe ndikimit të tyre te konsumatorët, duke e konsideruar këtë çështje të parakohshme.

Investim prej rreth 171 milionë dollarësh për bateritë

Programi Kompakt ka vlerë të përgjithshme prej 236.7 milionë dollarësh, prej të cilave 202 milionë janë grant nga Qeveria amerikane, ndërsa 34.7 milionë dollarë janë kontribut i Qeverisë së Kosovës.

Vetëm për sistemet e baterive, dokumentet paraprake të MCA-Kosovës kanë paraparë buxhet prej rreth 171 milionë dollarësh. Nga kjo shumë, rreth 46 milionë dollarë janë ndarë për sistemin në Ferizaj dhe 125 milionë dollarë për atë në Istog. Këto vlera përfshijnë edhe infrastrukturën e lidhjes me rrjetin dhe shërbimet e konsulencës, por nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht kostot përfundimtare të kontratave.

MCA-Kosova nuk ka publikuar vlerat e ofertave të dy kompanive amerikane, duke sqaruar se ato mbeten konfidenciale deri në përfundimin e procedurave të prokurimit.

Kur të përfundojnë, sistemet prej 340 MWh pritet t’i japin Kosovës kapacitete të reja për ruajtjen e energjisë, balancimin e rrjetit dhe integrimin e burimeve të ripërtëritshme. Megjithatë, përfitimet reale të investimit do të varen jo vetëm nga përfundimi i ndërtimit, por edhe nga mënyra e operimit, kostot e mirëmbajtjes dhe rregullat që do të përcaktojnë pjesëmarrjen e baterive në tregun e energjisë.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com