Ish-ministri i Energjisë dhe Minierave, Ethem Çeku, ka deklaruar se kriza aktuale energjetike në Kosovë mund të ishte shmangur nëse do të ishin realizuar projektet për ndërtimin e kapaciteteve të reja prodhuese dhe rehabilitimin e termocentraleve ekzistuese.
Në një prononcim për KosovaPress, Çeku ka thënë se mosrealizimi i projekteve si “Kosova e Re” dhe “Kosova C” e ka lënë vendin të varur nga importi i energjisë elektrike, ndërsa ka paralajmëruar se kostot e larta të energjisë mund t’i shtyjnë bizneset vendore që prodhimin dhe investimet t’i zhvendosin jashtë Kosovës.
Sipas tij, ndërtimi i një blloku të ri me kapacitet prej 500 megavatësh do të kishte ndihmuar në stabilizimin e furnizimit me energji elektrike dhe në uljen e varësisë nga importet.
Çeku vlerëson se investimet në kapacitete të reja vendore do të kishin qenë më të leverdishme financiarisht sesa blerja e energjisë në tregjet ndërkombëtare. Ai ka përmendur gjithashtu rehabilitimin e thellë të termocentraleve “Kosova A” dhe “Kosova B”, si dhe zhvillimin e kapaciteteve nga burimet e ripërtëritshme.
“Ndërtimi i kapaciteteve të reja, rehabilitimi i thellë i Kosovës A dhe Kosovës B dhe zhvillimi i sektorit më të fuqishëm të energjisë së gjelbër do t’i kishin zgjidhur problemet e Kosovës me furnizim”, ka deklaruar Çeku.
Ai ka thënë se situata është veçanërisht shqetësuese për sektorin privat, i cili po përballet me kosto të larta të prodhimit për shkak të përdorimit të gjeneratorëve dhe çmimit të naftës.
Sipas tij, këto shpenzime po e rëndojnë konkurrueshmërinë e industrisë vendore, përfshirë sektorin e prodhimit të mishit, ndërsa kostot e energjisë po ndikojnë edhe në buxhetet familjare.
Çeku ka kërkuar nga Qeveria që të ndërmarrë hapa urgjentë për rehabilitimin e termocentraleve dhe ndërtimin e kapaciteteve të reja prodhuese. Si një nga alternativat, ai ka përmendur edhe ndërtimin e një blloku të ri me gaz amerikan, duke argumentuar se prodhimi vendor nga linjiti dhe gazi do të mund të kushtonte më pak sesa importimi i energjisë, përfshirë edhe pagesat për transit.
Ai ka theksuar gjithashtu nevojën për investime në energjinë solare dhe atë të erës, si dhe për zhvillimin e kapaciteteve të baterive për ruajtjen e energjisë.
Ish-ministri ka paralajmëruar se çmimet e energjisë mund të rriten më tej, varësisht nga zhvillimet në tregjet ndërkombëtare dhe krizat globale. Sipas tij, edhe subvencionimi i energjisë përmes buxhetit të shtetit nuk e eliminon koston, pasi këto mjete sigurohen nga taksat e qytetarëve dhe bizneseve.
“Risku është ikja e prodhimit vendor jashtë vendit, për shkak të kostos së lartë të energjisë”, ka deklaruar Çeku, duke kërkuar që çështja e energjisë të mos politizohet dhe që Kuvendi e Qeveria të angazhohen në një grup të përbashkët pune për zhvillimin e sektorit.
Deklaratat e tij vijnë pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për të ndaluar tregtimin e energjisë elektrike me kompanitë serbe. Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se masa është ndërmarrë si përgjigje ndaj bllokimit nga Serbia të dy linjave të interkoneksionit 400 kV, të cilat, sipas tij, pengojnë transitin e energjisë elektrike nga vendet e tjera drejt Kosovës.
Kurti ka sqaruar se linjat nuk janë të nevojshme për importimin e energjisë nga Serbia, por për mundësimin e qarkullimit të energjisë nga shtetet e tjera. Në fazën e parë, masa nuk do të përfshijë furnizuesin e themeluar në bazë të Marrëveshjes së Brukselit për energjinë. Megjithatë, kryeministri ka paralajmëruar masa të mëtejshme nëse nuk ka reflektim nga autoritetet serbe.
Çeku ka vlerësuar se, pavarësisht zhvillimeve në raportet energjetike me Serbinë, zgjidhja afatgjatë për Kosovën mbetet rritja e prodhimit vendor dhe krijimi i një konsensusi politik për investimet në sektorin e energjisë.



