Eksperti i energjisë, Adhurim Haxhimusa, ka vlerësuar se vendimi i Qeverisë së Kosovës për ndalimin e tregtimit të energjisë elektrike me kompanitë e lidhura me Serbinë nuk do të përmirësojë furnizimin me energji dhe as nuk do të ndikojë në uljen e çmimeve për konsumatorët.
Duke folur në emisionin “Five” të TV Dukagjinit, Haxhimusa ka vënë në pikëpyetje edhe kohën e marrjes së këtij vendimi, duke pretenduar se përmes tij po tentohet të zhvendoset vëmendja nga problemet strukturore të sektorit energjetik në Kosovë.
Sipas tij, ndalimi i transaksioneve me kompanitë serbe nuk i adreson mungesën e kapaciteteve të mjaftueshme të prodhimit dhe kufizimet në rrjetin e transmetimit dhe atë të shpërndarjes, përcjell Energy Monitor.
“Edhe nëse e bën këtë ndalesë, nuk është se përmirësimi i gjendjes me energji elektrike dhe çmimeve do të bie. Kjo është një lloj loje për ta zhvendosur mendjen, mirëpo problemi është që, gjashtë vite apo edhe prej shpalljes së pavarësisë janë bërë gati 18 vjet dhe ne nuk i kemi megavatët e duhur për të përmirësuar ose garantuar furnizim stabil me energji elektrike”, ka thënë Haxhimusa.
Ai ka theksuar se problemi nuk qëndron vetëm te mungesa e kapaciteteve gjeneruese, por edhe te infrastruktura e transmetimit dhe shpërndarjes, të cilat janë të domosdoshme për të siguruar furnizim të qëndrueshëm.
“Nuk i kemi as megavatët për gjenerim, nuk e kemi as kapacitetin e transmetimit dhe të distribucionit për të mundësuar furnizim stabil me energji elektrike”, ka deklaruar ai.
Komentet e Haxhimusës vijnë pas vendimit të Qeverisë, të miratuar më 16 nëntor, për ndalimin e tregtimit të energjisë elektrike me ndërmarrjet që kanë lidhje pronësore ose organizative me Serbinë, transmeton Energy Monitor.
Megjithatë, vendimi parasheh përjashtim për transaksionet që burojnë nga Marrëveshja e Brukselit për Energjinë e vitit 2013 dhe dokumentet pasuese të zbatimit të saj. Kjo nënkupton se aktivitetet e Elektroseverit, furnizuesit që operon në katër komunat veriore, nuk përfshihen në ndalim.
Qeveria e ka arsyetuar masën me bllokimin nga Serbia të alokimit komercial dhe tregtimit të energjisë në linjat e interkoneksionit me Kosovën, duke pretenduar se kjo po pengon transitin e energjisë nga vendet e tjera drejt Kosovës.



