Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka kritikuar Qeverinë për menaxhimin e sektorit të energjisë, mungesën e investimeve infrastrukturore dhe gjendjen ekonomike të vendit, duke paralajmëruar se Kosova po rrezikon të bëhet edhe më e varur nga importi i energjisë elektrike.
Pas mbledhjes së Kryesisë së Aleancës, Gjini e ka cilësuar situatën energjetike si të rëndë, ndërsa përgjegjësinë për këtë gjendje ia ka atribuuar Qeverisë.
Duke komentuar vendimin për ndalimin e importit të energjisë elektrike nga Serbia, ai ka thënë se bëhet fjalë për një përpjekje për t’i mashtruar qytetarët. Sipas Gjinit, kompanitë e licencuara në Kosovë për import dhe transmetim të energjisë kanë origjinë serbe ose kontrollohen nga Serbia.
Ai ka akuzuar Qeverinë edhe për anulimin e projekteve që, sipas tij, do të mundësonin rritjen e kapaciteteve vendore të prodhimit të energjisë. Ndër projektet e përmendura ishin ai i gazit amerikan dhe investimet e tjera në sektorin energjetik.
Kritikat e Gjinit janë përqendruar edhe te mungesa e investimeve në infrastrukturë, veçanërisht te projekti i hekurudhës Prishtinë–Durrës. Ai ka thënë se Kosova është zotuar për përgatitjen e studimit të fizibilitetit për pjesën e saj të projektit, por se në projektbuxhet nuk janë paraparë mjete për këtë qëllim.
Sipas tij, pa financimin e studimit të fizibilitetit, projekti rrezikon të mos shënojë përparim as gjatë viteve 2027 dhe 2028. Gjini e ka cilësuar hekurudhën si projekt strategjik për zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe lidhjen e saj me Portin e Durrësit.
Ai ka kritikuar gjithashtu ndarjet buxhetore për projektet e tjera infrastrukturore, duke vlerësuar se alokimet prej një apo dy milionë eurosh nuk janë të mjaftueshme për realizimin e projekteve që kërkojnë investime prej dhjetëra apo qindra milionë eurosh.
Gjini ka ngritur shqetësime edhe për gjendjen në shëndetësi, arsim dhe prodhimtarinë vendore. Duke iu referuar bilancit tregtar, ai ka thënë se importi është shtatë deri në tetë herë më i madh se eksporti, ndërsa ka akuzuar Qeverinë se politikat e saj po e dëmtojnë prodhimin vendor.
Në fund, duke folur për Gjykatën Speciale, kryetari i Aleancës ka vlerësuar se anulimi i ligjit për këtë gjykatë ka qenë gabim.



