Kosova ka ndarë gjithsej 13.4 miliardë euro për shpenzime që kontribuojnë në realizimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZHQ) gjatë periudhës 2021–2025. Megjithatë, pjesa më e madhe e këtyre mjeteve është përqendruar në vetëm pesë nga 17 objektivat, ndërsa gjashtë prej tyre kanë marrë secili më pak se një për qind të financimit.
Këto janë disa nga gjetjet e raportit të Institutit GAP, “Përputhja e buxhetit të Kosovës me Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (2021–2025)”, të prezantuar në një tryezë diskutimi. Sipas raportit, rreth 87 për qind e shpenzimeve të përgjithshme buxhetore gjatë kësaj periudhe janë klasifikuar si shpenzime që kontribuojnë në arritjen e OZHQ-ve, me një mesatare prej 2.7 miliardë eurosh në vit.
Rreth 82 për qind e financimit të ndërlidhur me këto objektiva është përqendruar në pesë fusha: luftimi i varfërisë, paqja dhe institucionet e forta, arsimi cilësor, industria dhe infrastruktura, si dhe shëndetësia, përcjell Energy Monitor.
Objektivi për luftimin e varfërisë ka përfituar shumën më të madhe, me gjithsej 3.8 miliardë euro gjatë pesë vjetëve. Në këtë kategori janë përfshirë kryesisht pensionet, asistenca sociale, transferet për familjet në nevojë, si dhe programet e banimit social. Për paqen, drejtësinë dhe institucionet e forta janë ndarë rreth dy miliardë euro, ndërsa arsimi ka përfituar 1.9 miliardë euro. Infrastruktura dhe shëndetësia janë financuar me shuma që, sipas raportit, janë në intervalin prej 1.6 deri në 1.9 miliardë euro.
Në anën tjetër, barazia gjinore, zvogëlimi i pabarazive, konsumi dhe prodhimi i përgjegjshëm, veprimi për klimën, jeta në tokë dhe partneritetet për objektivat kanë marrë secila më pak se një për qind të financimit të përgjithshëm të ndërlidhur me OZHQ-të.
Drejtori ekzekutiv i Institutit GAP, Blendi Hasaj, tha se gjetjet ngrenë pyetje për mënyrën se si përcaktohen prioritetet përmes buxhetit, veçanërisht sa i përket barazisë gjinore dhe investimeve në mjedis. Ai theksoi se sfidat mjedisore dhe ndryshimet klimatike kërkojnë që këto fusha të marrin vëmendjen e duhur në politikat fiskale dhe në ndarjen e mjeteve publike.
Ndërkaq, koordinatori i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë, Stephen O’Malley, vlerësoi se raporti ofron për herë të parë një përpjekje gjithëpërfshirëse për të matur se në çfarë mase shpenzimet publike përputhen me zotimet e Kosovës për realizimin e OZHQ-ve deri në vitin 2030.
O’Malley tha se përqendrimi i financimit në pesë objektiva dhe ndarjet e ulëta për gjashtë të tjera duhet të interpretohen me kujdes, pasi jo të gjitha investimet për gratë apo mjedisin identifikohen domosdoshmërisht në kategoritë përkatëse buxhetore. Megjithatë, ai theksoi se mungesa e identifikimit të qartë të këtyre shpenzimeve e vështirëson planifikimin, monitorimin dhe mbrojtjen e mjeteve të dedikuara për to.
Hulumtuesja e Institutit GAP, Rona Zhuri, tha se Kosova ende nuk ka një mekanizëm specifik për matjen e progresit drejt realizimit të 17 objektivave, ndonëse Kuvendi kishte miratuar një rezolutë për këtë qëllim në vitin 2018 dhe ato janë përfshirë në Strategjinë Kombëtare për Zhvillim 2030, përcjell Energy Monitor.
Gjatë diskutimit, zëvendësministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Driton Hyseni, kërkoi që në analiza të përfshihen edhe donacionet dhe fondet e partnerëve ndërkombëtarë, të cilat, sipas tij, përbëjnë një pjesë të rëndësishme të financimit të projekteve në Kosovë. Ai përmendi, ndër të tjera, një projekt prej 25 milionë eurosh nga Banka Botërore për sigurinë dhe cilësinë e ujit, si dhe 25 milionë euro nga Banka për Zhvillim e Këshillit të Evropës për banimin social.
Raporti i Institutit GAP rekomandon integrimin më të mirë të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm në proceset buxhetore dhe planifikimin e politikave publike, vlerësimin e nevojave të financimit për secilin objektiv dhe rritjen e efikasitetit të shpenzimeve publike. Në veçanti, kërkohet më shumë vëmendje për fushat që aktualisht mbeten të nënfinancuara.
Analiza mbulon periudhën 2021–2025 dhe shqyrton mënyrën se si shpenzimet publike kontribuojnë në 17 objektivat e përcaktuara nga Agjenda 2030 e Kombeve të Bashkuara. Publikimi është realizuar me mbështetjen e Zyrës së Koordinatorit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.



