Home / Lajme / Mjedisi / Ministrja norvegjeze e Klimës: Në negociatat e konferencës COP31 mbeten disa çështje të diskutueshme

Ministrja norvegjeze e Klimës: Në negociatat e konferencës COP31 mbeten disa çështje të diskutueshme

“Duhet të bëjmë shumë gjëra, sepse është shumë urgjente që të reduktojmë emetimet. Tani duhet të punojmë me përkushtim për elektrifikimin. Kjo është një pikë e rëndësishme që Turqia e ka vendosur në agjendë”, tha ajo

Ministrja norvegjeze e Klimës dhe Mjedisit, Sigrun Aasland, ka deklaruar se negociatat në COP31 përballen me disa çështje madhore dhe të vështira, duke theksuar urgjencën e uljes së emetimeve dhe avancimit të tranzicionit energjetik.

“Ka shumë çështje të mëdha, të vështira dhe të rëndësishme. Këtu përfshihet shkenca, kufizimi i tejkalimeve të objektivave, elektrifikimi, urgjenca e veprimit dhe rëndësia e një tranzicioni të drejtë”, tha Aasland për Anadolu, para një takimi ministror gjatë konferencës së OKB-së për klimën në Antalya të Turqisë.

Aasland tha se pret që rezultati të përfshijë “formulime të mira” lidhur me energjinë e rinovueshme, elektrifikimin dhe tranzicionin energjetik, si dhe urgjencën e uljes së emetimeve, kufizimin e tejkalimit të objektivave të temperaturës, garantimin e proceseve gjithëpërfshirëse dhe njohjen e rëndësisë së shkencës.

“Duhet të bëjmë shumë gjëra, sepse është shumë urgjente që të reduktojmë emetimet. Tani duhet të punojmë me përkushtim për elektrifikimin. Kjo është një pikë e rëndësishme që Turqia e ka vendosur në agjendë”, tha ajo.

Ministrja norvegjeze gjithashtu bëri thirrje për përparim në Procesin e Dytë të Vlerësimit Global (GST2), financim të mjaftueshëm për Panelin Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike (IPCC) dhe përfshirjen e tranzicionit të drejtë në të gjitha aktivitetet e zhvilluara në kuadër të Marrëveshjes së Parisit.

“Duhet të fillojmë GST2 dhe gjithashtu duhet që IPCC-ja të ketë financimin dhe buxhetin e nevojshëm për të kryer punën e saj. Gjithashtu, duhet ta integrojmë tranzicionin e drejtë në të gjitha punët e rëndësishme që zhvillojmë në kuadër të Marrëveshjes së Parisit”, shtoi ajo.

/aa.com.tr

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com