Nëntë departamente qeveritare të Kinës kanë publikuar udhëzime të reja për avancimin e sistemit të riciklimit të burimeve të ripërtëritshme dhe modernizimin e industrisë së riciklimit, me fokus të veçantë te bateritë e automjeteve elektrike dhe pajisjet fotovoltaike.
Sipas Ministrisë së Tregtisë së Kinës (MOC), dokumenti përmban 16 detyra kryesore që synojnë përmirësimin e mekanizmave të grumbullimit, përpunimit dhe ripërdorimit të materialeve, si dhe përhapjen e modeleve më efikase të riciklimit. Lajmi është bërë i ditur nga agjencia shtetërore e lajmeve Xinhua.
Një pjesë e rëndësishme e udhëzimeve i kushtohet menaxhimit të mbetjeve nga tri kategori produktesh të cilësuara nga autoritetet kineze si “tre produktet e reja”: automjetet elektrike, bateritë litium-jon dhe pajisjet fotovoltaike.
Dokumenti u kërkon autoriteteve lokale të përshtatin modelet e riciklimit me kushtet dhe nevojat e tyre, duke përfshirë sistemet për grumbullimin e burimeve të ndryshme të ripërdorshme, mobilieve të mëdha dhe pajisjeve elektroshtëpiake.
Sa i përket sektorit të energjisë, udhëzimet parashohin masa për të adresuar mangësitë në riciklimin e baterive të automjeteve elektrike dhe për të përmirësuar sistemin e grumbullimit, çmontimit dhe shfrytëzimit të pajisjeve fotovoltaike pas përfundimit të ciklit të tyre të përdorimit.
Synimi është krijimi i një zinxhiri të integruar që përfshin të gjitha fazat, nga projektimi dhe prodhimi, te përdorimi, riciklimi, çmontimi dhe ripërdorimi i materialeve. Kjo qasje synon të rrisë shfrytëzimin e burimeve dhe të përmirësojë menaxhimin e mbetjeve që krijohen nga zgjerimi i teknologjive të energjisë së pastër.



