Sulmet kibernetike ndaj infrastrukturës energjetike dhe sistemeve të aviacionit mund të shkaktojnë pasoja që tejkalojnë hapësirën digjitale, u theksua në panelin e parë të Konferencës për Rezistencën Kibernetike, të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë.
Paneli me temën “Infrastruktura Kritike – Energjia dhe Aviacioni” u fokusua në sfidat e sigurisë kibernetike, gatishmërinë institucionale dhe bashkëpunimin ndërmjet autoriteteve publike dhe operatorëve të infrastrukturës kritike.
Diskutimi u moderua nga Andrej Petreski, drejtues i Cisco-s për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut. Në të morën pjesë Trim Tërnava, drejtor i përgjithshëm i KOSTT-it, Bradley Johansen, zyrtar ekonomik në Ambasadën e SHBA-së në Kosovë, Orçun Yıldırım, drejtor i TI-së në KEDS, Driton Gojani, kryetar i Bordit të ZRRE-së, dhe Besian Hysaj, drejtor i përgjithshëm i Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror të Kosovës (ASHNA), përcjell Energy Monitor.
Panelistët trajtuan rëndësinë e koordinimit ndërinstitucional dhe bashkëpunimit me operatorët privatë për të parandaluar dhe përballuar sulmet e mundshme ndaj sistemeve që mundësojnë funksionimin e sektorëve jetikë të vendit.
Forcimi i rezistencës kibernetike në sektorin e energjisë është veçanërisht i rëndësishëm për shkak të varësisë në rritje të operimit të rrjetit, prodhimit dhe furnizimit me energji elektrike nga sistemet digjitale.



