Home / Lajme / Rrjeti elektrik / Erërat e forta shkaktojnë ndërprerje të shumta të rrymës në Kosovë, KEDS angazhon qindra ekipe në terren

Erërat e forta shkaktojnë ndërprerje të shumta të rrymës në Kosovë, KEDS angazhon qindra ekipe në terren

Erërat e fuqishme që përfshinë Kosovën të enjten shkaktuan ndërprerje të shumta të furnizimit me energji elektrike në disa pjesë të vendit, duke prekur veçanërisht Ferizajn, Gjilanin, Prizrenin dhe Prishtinën. KEDS angazhoi qindra ekipe për sanimin e avarive në rrjetin e shpërndarjes, ndërsa në Ferizaj ndërmori edhe ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike me kërkesë të Policisë së Kosovës, si masë parandaluese për sigurinë e qytetarëve.

Zyrtari i KEDS-it, A-dlum Ramadani, tha në një prononcim për Klan Kosovën se situata me furnizimin me energji elektrike ishte rënduar si pasojë e erërave të forta, të cilat kishin shkaktuar dëme në infrastrukturën energjetike dhe ndërprerje të shumta.

Sipas tij, përveç Ferizajt, pasojat e erërave janë vërejtur edhe në Gjilan, Prizren dhe Prishtinë. Ai bëri të ditur se qindra ekipe të KEDS-it ishin shpërndarë në terren për të eliminuar avaritë dhe për të rikthyer furnizimin me energji elektrike, përcjell Energy Monitor.

Rasti më i veçantë ishte ai i Ferizajt, ku KEDS njoftoi se, për shkak të dëmeve dhe avarive të konsiderueshme në infrastrukturën energjetike dhe me kërkesë të Policisë së Kosovës, ishte e domosdoshme ndërprerja e furnizimit me energji elektrike. Kompania e cilësoi këtë si masë preventive për mbrojtjen e qytetarëve.

Erërat shkaktuan probleme edhe në infrastrukturë dhe prona private në pjesë të tjera të vendit, ndërsa raportime për dëme pati në Prishtinë, Prizren dhe Krushë të Madhe të Rahovecit.

Rreziku nga erërat ishte paralajmëruar paraprakisht nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, i cili kishte parashikuar shpejtësi të erës prej 30 deri në 45 kilometra në orë, me mundësi të vrulleve më të fuqishme.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com