Home / Lajme / Kosova / Rizvanolli: Serbia nuk i liroi linjat energjetike, Kosova i dha kohë shtesë pas ndërmjetësimit të BE-së

Rizvanolli: Serbia nuk i liroi linjat energjetike, Kosova i dha kohë shtesë pas ndërmjetësimit të BE-së

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se Kosova e njoftoi Bashkimin Evropian disa ditë para vendimit për ndalimin e tregtimit të energjisë elektrike me kompanitë serbe, pasi Serbia nuk e përmbushi as afatin shtesë për lirimin e linjave të transmetimit.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka deklaruar se vendimi i Qeverisë për ndalimin e tregtimit të energjisë elektrike me kompanitë serbe është marrë pas disa vitesh përpjekjesh për zgjidhjen e kontestit lidhur me bllokimin e linjave ndërkufitare të transmetimit nga Serbia.

Duke folur në seancën e Kuvendit të Kosovës, Rizvanolli ka rikujtuar se çështja ishte ngritur zyrtarisht në vitin 2021, kur Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) kishte paraqitur ankesë në Komunitetin e Energjisë për moslirimin e linjave për alokim komercial dhe tregtim.

Sipas saj, një hap vendimtar ishte ndërmarrë në vitin 2025, kur Këshilli i Ministrave i Komunitetit të Energjisë kishte konstatuar shkeljen e obligimeve nga Serbia dhe kishte përcaktuar 1 korrikun 2026 si afat për lirimin e linjave, përcjell Energy Monitor.

Megjithatë, ky afat nuk ishte respektuar. Rizvanolli ka bërë të ditur se pas kësaj, Bashkimi Evropian kishte propozuar një zgjidhje përmes ndërmjetësimit të tij, ndërsa Kosova kishte pranuar t’i jepte Serbisë edhe disa muaj shtesë për përmbushjen e obligimit.

“BE-ja ka propozuar një zgjidhje me ndërmjetësimin e tyre, ne i kemi dhënë edhe disa muaj kohë për të realizuar këtë zgjidhje. Pasi kjo nuk ka ndodhur, ne kemi lajmëruar paraprakisht BE-në disa ditë më herët dhe kemi marrë këtë vendim”, ka deklaruar Rizvanolli.

Ajo ka theksuar se vendimi për ndalimin e tregtimit me kompanitë serbe nuk është marrë pa paralajmërim ndaj partnerëve ndërkombëtarë, por pas dështimit të përpjekjeve për zgjidhjen e çështjes përmes mekanizmave të Komunitetit të Energjisë dhe ndërmjetësimit të BE-së.

Bllokimi i linjave ndërkufitare ka kufizuar mundësinë e Kosovës për t’i shfrytëzuar ato për tranzit të energjisë elektrike nga vendet e tjera. Kjo ka rëndësi edhe për qasjen në bursat rajonale të energjisë, përfshirë bursën hungareze HUPX, transmeton Energy Monitor.

Siç ka shpjeguar më herët ministrja, kërkesa për lirimin e linjave nuk lidhet me synimin për të importuar energji elektrike nga Serbia, por me mundësinë që kapacitetet transmetuese të shfrytëzohen për tregtim dhe tranzit të energjisë nga tregjet e tjera.

Qeveria e Kosovës më 16 nëntor mori vendim për ndalimin e tregtimit të energjisë elektrike me kompanitë serbe, si kundërmasë ndaj moslirimit të linjave të transmetimit. Vendimi erdhi së bashku me masa emergjente në sektorin e energjisë elektrike, të cilat janë paraparë të zbatohen për një periudhë 60-ditore.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com