Mickoski tha se si Maqedonia e Veriut, ashtu edhe Evropa, do të përballen me një sezon të vështirë, por se institucionet po përpiqen të menaxhojnë pasojat e krizës.
Pas paralajmërimeve për një dimër të vështirë energjetik në Kosovë, ku edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka ngritur shqetësimet për situatën e furnizimit me energji, paralajmërime të ngjashme vijnë edhe nga Maqedonia e Veriut.
Kryeministri i këtij vendi, Hristijan Mickoski, ka deklaruar nga Berlini se Evropa po përballet me një krizë të rëndë energjetike dhe se dimri i ardhshëm pritet të jetë veçanërisht i vështirë.
Ai ka shprehur shqetësimin edhe për zhvillimet globale, duke thënë se bota po shkon drejt një konflikti të ri të përmasave të mëdha, ndërsa pasojat pritet të reflektohen në çmimet e energjisë elektrike dhe karburanteve.
“Ne po përballemi me krizën më të madhe energjetike në histori, që njerëzimi mban mend. Në të njëjtën kohë, kam ndjesinë sikur bota po udhëhiqet drejt një lufte të tretë botërore, në heshtje. Pritet një dimër jashtëzakonisht i vështirë, veçanërisht për Evropën, kur bëhet fjalë për energjinë”, deklaroi Mickoski.
Ai paralajmëroi se vështirësitë nuk do të kufizohen vetëm te energjia elektrike, por do të prekin edhe tregun e karburanteve, përfshirë dizelin dhe benzinën.
“Flas për çmime të larta, sepse nëse sot i shikoni bursat, do të vini re se gazi është trefish më i shtrenjtë krahasuar me çmimin që kishte në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar”.
Mickoski tha se si Maqedonia e Veriut, ashtu edhe Evropa, do të përballen me një sezon të vështirë, por se institucionet po përpiqen të menaxhojnë pasojat e krizës.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kishte paralajmëruar se dimri pritet të jetë i vështirë sa i përket situatës energjetike, jo vetëm për Kosovën, por edhe për Evropën.
Sipas saj, çmimet e energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtare kanë shënuar rritje të konsiderueshme që në fillim të nëntorit, ende pa nisur periudha e temperaturave më të ulëta dhe e konsumit më të lartë.



