Home / Lajme / Kosova / Sindikalistët e KEK-ut: Punëtorët janë të gatshëm për sfidat e dimrit, do t’i mbajmë kapacitetet prodhuese në funksion

Sindikalistët e KEK-ut: Punëtorët janë të gatshëm për sfidat e dimrit, do t’i mbajmë kapacitetet prodhuese në funksion

Sindikata e Re e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) ka siguruar qytetarët se punëtorët e korporatës janë të gatshëm të përballen me sfidat që mund të sjellë sezoni dimëror, kur pritet të rritet kërkesa për energji elektrike dhe të shtohen vështirësitë për furnizim.

Në një deklaratë publike, sindikata ka theksuar se punëtorët e KEK-ut kanë arritur të sigurojnë prodhimin e energjisë elektrike edhe gjatë dimrave të vështirë në të kaluarën, duke shprehur besimin se edhe këtë vit do të angazhohen maksimalisht për të mbajtur në funksion kapacitetet ekzistuese prodhuese.

Sipas sindikatës, mobilizimi do të përfshijë punëtorët në të gjitha hallkat e procesit të prodhimit, nga minierat dhe transportimi i qymyrit deri te repartet e prodhimit dhe turbinat e termocentraleve.

“Do të bëjmë gjithçka që kapacitetet prodhuese që kemi t’i mbajmë sa më stabile dhe në funksion”, thuhet në deklaratën e Sindikatës së Re të KEK-ut.

Sindikalistët kanë pranuar se gjatë dimrit mund të ketë sfida dhe sakrifica, por kanë vënë në pah se përkushtimi i punëtorëve nuk do të mungojë. Ata kanë bërë thirrje për rritjen e përgjegjësisë, kujdesit dhe mobilizimit në çdo vend pune.

Në këtë drejtim, sindikata ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet punëtorëve, përfaqësuesve sindikalë dhe menaxhmentit të korporatës, si parakusht për funksionimin sa më të qëndrueshëm të kapaciteteve prodhuese.

“Sepse puna jonë nuk është vetëm prodhim energjie. Është shërbim ndaj qytetarëve, është siguri për familjet dhe është kontribut për Kosovën”, thuhet në reagim.

Sindikata ka shprehur besimin në profesionalizmin dhe përvojën e punëtorëve, duke e cilësuar angazhimin e tyre si vendimtar për përballimin e periudhës së dimrit.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com