Home / Lajme / Rajoni / Shqipëria i bashkohet nismës energjetike të Trump, SHBA-ja: Hap i rëndësishëm për sigurinë e rajonit

Shqipëria i bashkohet nismës energjetike të Trump, SHBA-ja: Hap i rëndësishëm për sigurinë e rajonit

Shqipëria i është bashkuar nismës amerikane “Trump Peace Pipelines Framework”, që synon forcimin e sigurisë energjetike dhe diversifikimin e furnizimit me energji në rajon. Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë e ka cilësuar këtë zhvillim si një hap të rëndësishëm për rritjen e bashkëpunimit rajonal dhe uljen e cenueshmërisë ndaj ndërprerjeve të mundshme të furnizimit.

Sipas njoftimit të Ambasadës Amerikane, ambasadori Eric Wendt ka nënshkruar Memorandumin e Mirëkuptimit për përfshirjen e Shqipërisë në këtë nismë gjatë Ministerialit të Partneritetit Transatlantik për Bashkëpunimin Energjetik (P-TEC), të mbajtur në Varshavë të Polonisë.

Ambasada ka vlerësuar se përfshirja e Shqipërisë dëshmon rritjen e angazhimit rajonal për sigurinë dhe diversifikimin energjetik. Nisma synon gjithashtu të krijojë mundësi të reja për kompanitë dhe punonjësit amerikanë e shqiptarë.

“Ky është një hap i rëndësishëm drejt uljes së cenueshmërisë së rajonit ndaj ndërprerjeve të furnizimit me energji, duke krijuar njëkohësisht mundësi të reja për kompanitë dhe punonjësit amerikanë dhe shqiptarë”, thuhet në reagimin e Ambasadës Amerikane.

Përfshirja në këtë kornizë bashkëpunimi vjen në një kohë kur SHBA-ja po shton angazhimin në zhvillimin e infrastrukturës energjetike në Evropën Juglindore, veçanërisht në diversifikimin e burimeve dhe rrugëve të furnizimit me gaz dhe energji elektrike.

Gjatë të njëjtit ministerial në Varshavë, Shqipëria bëri të ditur edhe arritjen e një marrëveshjeje bashkëpunimi me SHBA-në për zhvillimin e një gazsjellësi rajonal që synon të lidhë Kroacinë, Bosnjë-Hercegovinën, Malin e Zi dhe Shqipërinë me Gazsjellësin Trans Adriatik (TAP).

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, njoftoi gjithashtu se po vazhdojnë përgatitjet për projektin e hidrocentralit të Skavicës, në bashkëpunim me kompaninë amerikane Bechtel. Studimet e fizibilitetit dhe ato mjedisore janë drejt përfundimit, ndërsa po shqyrtohen edhe kushtet teknike dhe financiare për realizimin e projektit.

Ambasada Amerikane e ka cilësuar Skavicën si projekt strategjik për sigurinë energjetike të Shqipërisë dhe të Ballkanit Perëndimor, duke theksuar mundësitë që ai mund të krijojë për investimet amerikane.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com