Home / Lajme / Rajoni / Shqipëria propozon fondin e ri për efiçiencë, investimet mund të shlyhen deri në 15 vjet

Shqipëria propozon fondin e ri për efiçiencë, investimet mund të shlyhen deri në 15 vjet

Shqipëria po planifikon rikrijimin e Fondit Kombëtar për Eficiencën e Energjisë, përmes një projektligji të ri që parasheh financimin dhe bashkëfinancimin e investimeve për uljen e konsumit të energjisë. Përfituesit do të mund t’i kthejnë investimet me këste deri në 15 vjet, përmes kursimeve që realizojnë në faturat e energjisë.

Projektligji “Për eficiencën energjetike” parasheh që fondi të funksionojë si agjenci autonome, nën mbikëqyrjen e ministrisë përgjegjëse për energjinë, me seli në Tiranë dhe veprimtari në të gjithë territorin e Shqipërisë.

Fondi do të mund të financojë projekte për renovimin energjetik të ndërtesave, zëvendësimin e sistemeve joefikase të ngrohjes dhe ndërhyrje të tjera që ndihmojnë në reduktimin e konsumit të energjisë.

Një prej instrumenteve kryesore të financimit do të jenë marrëveshjet për shërbime energjetike. Përmes tyre, fondi do të mbulojë investimin fillestar, ndërsa përfituesi do ta shlyejë atë në këste, në bazë të kursimeve të verifikuara në kostot e energjisë.

Afati maksimal i shlyerjes është 15 vjet. Marrëveshjet do të përcaktojnë vlerën e investimit, kursimet e pritshme, numrin dhe shumën e kësteve, si dhe kushtet e kthimit të financimit.

Skema synon të mundësojë realizimin e investimeve pa kërkuar që përfituesit të mbulojnë të gjithë koston në fillim. Megjithatë, ndryshe nga grantet, ky financim duhet të kthehet sipas kushteve të marrëveshjes.

Përveç marrëveshjeve për shërbime energjetike, fondi do të mund të ofrojë grante, subvencione, kredi me kushte lehtësuese dhe garanci të mbuluara plotësisht me fonde.

Burimet e financimit do të përfshijnë buxhetin e shtetit, donatorët, institucionet financiare ndërkombëtare dhe kthimin e investimeve të mëparshme. Në skemë parashihet të kontribuojnë edhe kompanitë që do të kenë detyrime për kursimin e energjisë, të cilat mund t’i përmbushin një pjesë ose të gjithë objektivin përmes pagesave në fond.

Projektligji parasheh gjithashtu mbështetje për familjet me të ardhura të ulëta dhe ato që përballen me varfëri energjetike, si dhe për banesat sociale. Ndërhyrjet mund të përfshijnë izolimin e ndërtesave, përmirësimin e sistemeve të ngrohjes dhe instalimin e pajisjeve më efikase.

Fondi Kombëtar për Eficiencën e Energjisë ishte parashikuar në legjislacionin shqiptar të vitit 2015, por dispozitat për të u shfuqizuan në vitin 2021. Projektligji i ri synon ta rikthejë atë si instrument të veçantë financiar për realizimin e investimeve në efiçiencë.

Kostoja e plotë e zbatimit të projektligjit ende nuk është përcaktuar, pasi një pjesë e masave dhe mekanizmave financiarë do të specifikohen përmes akteve nënligjore dhe programeve konkrete të financimit.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com