Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) ka pritur një delegacion rajonal në kuadër të një vizite studimore të organizuar nga Banka Botërore, me fokus shkëmbimin e përvojave për financimin dhe zbatimin e masave të efiçiencës së energjisë në ndërtesa.
Në vizitë morën pjesë përfaqësues të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë dhe drejtori i Fondit për Efiçiencë të Energjisë të Maqedonisë së Veriut.
Ata u njohën me modelin institucional, financiar dhe operacional të FKEE-së, si dhe me mënyrën e funksionimit dhe zbatimit të projekteve të tij në sektorin publik dhe atë rezidencial.
Gjatë vizitës, delegacioni pa nga afër edhe projektet e realizuara në Komunën e Drenasit, ku përfaqësuesit komunalë dhe të institucioneve prezantuan rezultatet e investimeve, përfshirë kursimet e energjisë dhe përmirësimin e kushteve në ndërtesat e rinovuara, përcjell Energy Monitor.
Sipas FKEE-së, vizita synoi të prezantojë përvojën e Kosovës në krijimin e një mekanizmi funksional për financimin e investimeve në efiçiencën e energjisë, si dhe të nxisë bashkëpunimin rajonal për zhvillimin e programeve të ngjashme.
Kosova ka tërhequr edhe më herët interesimin e Bankës Botërore për modelin e FKEE-së, i cili është prezantuar si përvojë për vendet e tjera të rajonit.
Në kuadër të programit më të madh për ndërtesat publike, FKEE po udhëheq një investim prej 86 milionë eurosh, që parasheh rinovimin e deri në 400 ndërtesave publike në nivel qendror dhe lokal.



