Moti i keq ka shkaktuar probleme në furnizimin me energji elektrike në Shqipëri, ku sipas Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, 52 fidera kanë dalë jashtë funksionit, kryesisht në zonat rurale të Matit, Mirditës, Lushnjës dhe Bajram Currit.
Ndërprerje të energjisë elektrike janë raportuar edhe në Pukë, ku qyteti dhe disa fshatra përreth kanë mbetur pa furnizim që nga mbrëmja e së dielës. Defekti ka prekur linjën 35 kV Fushë-Arrëz–Pukë, ndërsa jashtë funksionit ka qenë edhe linja rezervë e emergjencës Koman–Pukë, duke e lënë zonën pa burim alternativ të furnizimit.
Problemi në këtë linjë është përsëritur për herë të dytë brenda një jave. Përveç qytetit të Pukës, ndërprerjet kanë prekur edhe zonat e Qafë-Malit, Gjegjanit dhe Rrapës. Sipas raportimeve nga terreni, erërat e forta kanë dëmtuar përçuesit elektrikë dhe kanë shkaktuar ndërprerjen e furnizimit.
Ndërkohë, ekipet teknike të strukturave përgjegjëse janë në terren për riparimin e defekteve dhe normalizimin e furnizimit. Ndërhyrjet po vështirësohen nga shtrirja e rrjetit elektrik dhe terreni i vështirë. Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, ka bërë të ditur se linjat 35 kV, nënstacionet dhe fiderat që furnizojnë me energji elektrike hidrovorët vijojnë të jenë në funksion.
Në Kaskadën e Drinit, prurjet natyrore janë 250 metra kub në sekondë në HEC-in e Fierzës, 800 m³/s në HEC-in e Komanit dhe 50 m³/s në HEC-in e Vaut të Dejës.
Përveç sektorit energjetik, moti i keq ka shkaktuar dëme edhe në infrastrukturën publike. Në Pukë është dëmtuar çatia e korridorit që lidh urgjencën me godinën e spitalit, ndërsa në Bashkinë e Fushë-Arrëzit është dëmtuar çatia e shkollës në Iballë dhe disa banesa.
Probleme janë regjistruar edhe në transportin ajror. Pesë avionë nuk kanë mundur të ulen në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës dhe janë devijuar drejt aeroporteve alternative për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike. Ndërkohë, në Portin e Durrësit, reshjet kanë pezulluar përkohësisht shkarkimin e një pjese të mallrave.



