Humbjet e lejuara të energjisë elektrike në katër komunat veriore të Kosovës janë 21.5 për qind, dukshëm më të larta se në pjesën tjetër të vendit, ka bërë të ditur kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), Driton Gojani.
Gojani i paraqiti këto të dhëna të martën, gjatë raportimit para Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion të Kuvendit të Kosovës, ku u diskutua edhe niveli i humbjeve të energjisë elektrike në rrjetin e distribucionit.
Sipas tij, humbjet e lejuara në pjesën tjetër të Kosovës janë 13.3 për qind, ndërsa kur në llogaritje përfshihen edhe katër komunat veriore, niveli i përgjithshëm arrin në 14.28 për qind, përcjell Energy Monitor.
Kryesuesi i Komisionit, Arben Mustafa, kërkoi sqarime për arsyet pse ZRrE-ja lejon një nivel dukshëm më të lartë të humbjeve në veri. Ai kërkoi gjithashtu informacione për investimet kapitale që rregullatori ka miratuar për këto komuna dhe vlerën e tyre.
Mustafa kërkoi nga Gojani të shpjegojë edhe arsyetimin rregullator dhe investimet e miratuara, në mënyrë që të sqarohet nëse niveli më i lartë i humbjeve lidhet me gjendjen e infrastrukturës, konsumin e pafaturuar apo faktorë të tjerë.
Çështja e humbjeve në veri lidhet edhe me historikun e gjatë të mosfaturimit të energjisë elektrike në këto komuna. Banorët e Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut nuk kanë paguar për energjinë elektrike nga viti 1999 deri në vitin 2024, kur kompania Elektrosever nisi lëshimin e faturave.
Ndërkohë, në tetor të këtij viti, OECD publikoi të dhëna sipas të cilave Kosova kishte humbjet më të larta të energjisë elektrike në Ballkanin Perëndimor, me 21.9 për qind të energjisë së futur në rrjet që nuk arrinte te konsumatorët. Organizata theksoi ndikimin e energjisë së pafaturuar në komunat veriore në statistikat e humbjeve.
Në katër komunat veriore, Bashkimi Evropian ka financuar edhe instalimin e mbi 20 mijë njehsorëve inteligjentë, përmes një projekti prej 3.3 milionë eurosh, të realizuar në bashkëpunim me KEDS-in dhe Elektroseverin.
Investimi synon përmirësimin e matjes së konsumit dhe faturimit të energjisë elektrike.



