Kryetari i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion, Arben Mustafa, ka kërkuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) të dhëna për kompanitë serbe që kanë tregtuar energji elektrike në Kosovë, si dhe për vlerën e energjisë së tregtuar prej tyre, përfshirë gjatë vitit 2025.
Çështja u ngrit gjatë shqyrtimit të raportit vjetor të punës së ZRRE-së për vitin 2025, ku Mustafa kërkoi sqarime edhe për mundësinë e identifikimit të origjinës së energjisë elektrike që importohet në Kosovë.
Ai pyeti nëse energjia elektrike me origjinë nga Serbia mund të hyjë në tregun e Kosovës përmes agjentëve apo kompanive të regjistruara në vende të tjera, duke e bërë më të vështirë identifikimin e burimit të saj, përcjell Energy Monitor.
“Sa është numri i kompanive serbe që kanë tregtuar energji elektrike në Kosovë gjatë këtyre viteve, përfshirë edhe vitin 2025, dhe a ka mekanizma ZRRE për me i identifiku se nga vjen energjia elektrike që importohet në Kosovë? A ka mundësi që energjia serbe apo e kompanive serbe të vijë në Kosovë përmes agjentëve apo përmes kompanive jo serbe, por që na sjellin neve këtu energjinë e Serbisë”, pyeti Mustafa.
Deputeti i PDK-së ngriti gjithashtu shqetësimin për ndikimin e reformës së tregut të energjisë në konkurrueshmërinë e bizneseve kosovare, duke krahasuar çmimet që paguajnë konsumatorët jofamiljarë në BE me ato të bizneseve në Kosovë që kanë kaluar në tregun e hapur.
Ai kërkoi të dijë nëse ZRRE-ja ka analizuar ndikimin e këtij vendimi në kostot e prodhimit dhe në konkurrueshmërinë e eksportuesve vendorë, si dhe nëse është e arsyeshme që zgjerimi i mëtejmë i tregut të hapur të bëhet pa u vlerësuar paraprakisht gatishmëria e tij për të siguruar furnizim me çmime konkurruese.
Anëtari i Bordit të ZRRE-së, Driton Gojani, tha se për rregullatorin është i rëndësishëm çmimi referent i bursës mbi bazën e të cilit blihet energjia, ndërsa kontratat e KESCO-s lidhen me agjentët që kryejnë blerjen sipas këtyre çmimeve, përcjell Energy Monitor.
Sipas tij, për ZRRE-në, në këtë aspekt, rëndësi ka nëse energjia blihet me çmim referent të bursave, ndërsa jo domosdoshmërisht identifikimi i origjinës fizike të energjisë.
Lidhur me identifikimin e kompanive, Gojani bëri të ditur se, pas një vendimi të Qeverisë, ZRRE-ja i është drejtuar Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK), duke ia përcjellë regjistrin e licencave aktuale për verifikim. Ai tha se rregullatori është në pritje të përgjigjes së ARBK-së.
Sa i përket numrit të kompanive serbe që kanë tregtuar energji në Kosovë dhe vlerës së transaksioneve, Gojani tha se këto të dhëna mund të verifikohen përmes ankandeve dhe të dhënave të KESCO-s dhe KOSTT-it.
Megjithatë, ai kërkoi që pyetja t’i dërgohet ZRRE-së me shkrim, në mënyrë që rregullatori të kontrollojë të dhënat dhe të japë një përgjigje të saktë.
“Ne i kemi të dhënat prej ankandeve, të cilat janë edhe prej KESCO-s, por edhe prej KOSTT-it, me e pa në rast se ka, do të thotë, import nga kompani serbe. Po kjo është një përgjigje që kishim mujt me jua dhënë me shkrim”, tha Gojani gjatë raportimit në komision.
Në këtë mënyrë, numri i kompanive serbe dhe vlera e energjisë që ato kanë tregtuar në Kosovë mbeten ende pa u bërë publike, në pritje të përgjigjes zyrtare të ZRRE-së.



