Bombardimet ukrainase ndaj rajonit rus, Belgorod, gjatë natës kanë dëmtuar infrastrukturën e energjisë, duke ndërprerë lidhjet e energjisë elektrike për mijëra klientë, ka deklaruar të hënën (06.10.2025) guvernatori i rajonit në kufi me Ukrainën, raporton Reuters.
Megjithëse inxhinierët dhe shërbimet e emergjencës rikthyen furnizimin me energji për gati 34 mijë konsumatorë deri të hënën në mëngjes, rreth 5.400 banorë në 24 zona ende nuk kanë energji elektrike, ka njoftuar guvernatori Vyacheslav Gladkov nëpërmjet aplikacionin e mesazheve Telegram.
Belgorod dhe rajone të tjera në kufi me Ukrainën janë përballur me bombardime të vazhdueshme ndërkufitare dhe sulme me dronë, pasi lufta që Moska nisi kundër Kievit në vitin 2022 është përhapur në tokën ruse, duke ndikuar në jetën civile dhe duke dëmtuar infrastrukturën kritike.
Ukraina nuk ka komentuar menjëherë për sulmin. Të dyja palët thonë se sulmet e tyre në territorin e njëra-tjetrës synojnë të shkatërrojnë infrastrukturën kyçe për përpjekjet e përgjithshme të luftës.