Më 8 tetor 2025, Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) priti përfaqësuesit e një misioni të përbashkët të Bankës Botërore dhe International Finance Corporation (IFC), të cilët vizitojnë Prishtinën në kuadër të përgatitjes së Diagnostifikimit të Sektorit Privat në Kosovë (CPSD).
Gjatë takimit, palët diskutuan zhvillimet e fundit në sektorin e energjisë së ripërtëritshme, përfshirë legjislacionin përkatës që rregullon burimet e ripërtëritshme të energjisë dhe rolin e ZRRE-së në zbatimin e tij.
Përfaqësuesit shkëmbyen gjithashtu ide dhe rekomandime mbi mundësitë për avancimin e energjisë së ripërtëritshme në Kosovë dhe investimet e nevojshme për të nxitur zhvillimin e qëndrueshëm të këtij sektori.
Takimi u zhvillua në kuadër të konsultimeve të CPSD-së, të cilat kanë si qëllim identifikimin e sektorëve me potencial për investime private, krijimin e vendeve të punës dhe rritjen e qëndrueshme ekonomike në Kosovë.