Ministrat e energjisë të Bashkimit Evropian kanë rënë dakord të hënën të ndalojnë të gjitha importet e energjisë nga Rusia duke filluar nga 1 janari 2028, në një përpjekje për t’i dhënë fund varësisë së gjatë energjetike nga Moska. Vendimi u mor gjatë një takimi të Këshillit të Energjisë në Luksemburg dhe pritet të miratohet përfundimisht nga Parlamenti Europian në muajt e ardhshëm.
Sipas marrëveshjes, ndalimi përfshin gazin natyror, gazin e lëngshëm (LNG), naftën dhe produktet bërthamore ruse. Megjithatë, vendet pa dalje në det si Hungaria dhe Sllovakia do të përjashtohen nga ky ndalim, pas garancive të siguruara me Komisionin Evropian për të shmangur rreziqet e mungesave energjetike. Të dyja vendet votuan kundër projektligjit, duke argumentuar se ndalimi do të dëmtonte rëndë sigurinë energjetike dhe ekonomitë e tyre.
Komisioneri Evropian për Energjinë, Dan Jørgensen, deklaroi se BE do të ndihmojë vendet anëtare në diversifikimin e burimeve të energjisë për të shmangur çdo krizë furnizimi, duke mohuar se Brukseli ishte nën presion politik. Sipas vendimit, kontratat afatshkurtra të nënshkruara para 17 qershorit 2025 do të lejohen të vazhdojnë deri në qershor 2026, ndërsa kontratat afatgjata mund të zgjaten deri më 1 janar 2028.
Ligji do të ndalojë gjithashtu importet përmes tubacionit Turkstream, përveç rasteve kur kompanitë provojnë se gazi ka qenë vetëm në tranzit përmes Rusisë ose Bjellorusisë dhe është prodhuar në një vend tjetër. Deri më 1 mars 2026, vendet e BE-së duhet të paraqesin plane kombëtare për ndërprerjen graduale të furnizimeve me energji ruse.
Kryeministri sllovak Robert Fico e cilësoi ndalimin si “vetëvrasje ekonomike” dhe “një perde të re të hekurt” që po ngrihet brenda Evropës, ndërsa kritikët në Bruksel paralajmëruan se ky hap mund të rrisë varësinë e BE-së nga energjia amerikane.
Përveç Sllovakisë, edhe Hungaria ka kundërshtuar vendimin.
“Për ne, furnizimi me energji ka të bëjë me vendndodhjen tonë gjeografike dhe realitetin aktual fizik. Dhe ndikimi i vërtetë i kësaj rregulloreje është se siguria jonë e furnizimit me energji në Hungari do të shkatërrohet”, tha Ministri i Jashtëm hungarez Peter Szijjarto.
Në vitin 2021, Rusia furnizoi afro 45% të importeve të gazit të BE-së, por deri në vitin 2024 kjo shifër kishte rënë në rreth 18%, sipas të dhënave të institutit Bruegel. Parlamenti Europian pritet ta miratojë përfundimisht ligjin deri në fund të vitit, duke mbyllur një nga kapitujt më të rëndësishëm të transformimit energjetik të BE-së që nga fillimi i luftës në Ukrainë.



