Home / Lajme / Rajoni / Shkupi pret forumin e 14-të ndërkombëtar të energjisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm: Mbi 600 pjesëmarrës nga 70 vende

Shkupi pret forumin e 14-të ndërkombëtar të energjisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm: Mbi 600 pjesëmarrës nga 70 vende

Nga 28 deri më 30 tetor, kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut do të bëhet qendra e diskutimeve globale për tranzicionin energjetik dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

Forumi i 14-të Ndërkombëtar i Energjisë për Zhvillim të Qëndrueshëm do të mbledhë në Shkup mbi 600 pjesëmarrës nga më shumë se 70 vende, duke përfshirë ministra të energjisë, zyrtarë të lartë qeveritarë, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, institucioneve financiare, sektorit privat dhe akademik.

Ngjarja organizohet nga Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale e Maqedonisë së Veriut, në bashkëpunim me Programin e Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara (UNDP) dhe pesë komisionet rajonale të OKB-së. Sipas organizatorëve, përgatitjet për këtë forum kanë zgjatur një vit të tërë, me synimin për të krijuar një platformë ndërkombëtare ku diskutohet e ardhmja e energjisë së pastër dhe politikat për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

Forumi pritet të fokusohet në sfidat e tranzicionit energjetik, rolin e burimeve të ripërtëritshme, efikasitetin energjetik, dhe bashkëpunimin rajonal për siguri energjetike, duke shërbyer si një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit për politikat energjetike në rajon.