Presidenti i SHBA-së Donald Trump iu drejtua trupave amerikane në Japoni së bashku me kryeministren e re të vendit, Sanae Takaichi , në pjesën e dytë të turneut të tij në Azi.
Trump tha se prodhuesi japonez i makinave Toyota planifikon të investojë në SHBA, duke u thënë trupave të “blejnë një Toyota”.
Të dy qeveritë publikuan një listë projektesh në fushat e energjisë, inteligjencës artificiale dhe mineraleve kritike , në të cilat kompanitë japoneze po synojnë investime deri në 400 miliardë dollarë.
Ata nënshkruan një marrëveshje për të rritur furnizimet me minerale kritike dhe metale të rralla, ndërsa vendet e tyre kërkojnë të zvogëlojnë dominimin e Kinës në disa fusha të komponentëve kryesorë elektronikë.
Presidenti Donald Trump theksoi lidhjet e ngushta mes Shteteve të Bashkuara dhe Japonisë pas një dite të kaluar së bashku me kryeministren e re konservatore të vendit, Sanae Takaichi, të cilën e përshkroi si një “fituese”, duke e lavdëruar ngrohtësisht homologen e tij.
Trump e ftoi Takaichi-n në skenë ndërsa ai fliste përpara mijëra trupave amerikane në bordin e aeroplanmbajtëses USS George Washington, në bazën detare të Yokosukës në qendër të Japonisë.
“Kjo grua është një fituese,” tha Trump për Takaichi-n, duke përmendur performancën e bursës të së martës.
Më pas Trump foli për një “miqësi të bukur” me Japoninë.
“Kam shumë respekt për Japoninë dhe për këtë vend, dhe tani kam një respekt të madh për kryeministren e re dhe të jashtëzakonshme,” tha ai. “Duhet ta them këtë – kryeministrja e parë femër,” shtoi Trump, duke nxitur brohoritje dhe duartrokitje nga ushtarët në sallë.
Takaichi, e cila mori detyrën javën e kaluar, kërkon të ndërtojë mbi marrëdhënien e ngrohtë që Trump kishte me paraardhësin dhe mentorin e saj të ndjerë, Shinzo Abe.
Më herët gjatë ditës, Trump i tha Takaichi-t se ajo do të jetë “një nga kryeministrat më të mëdhenj”, gjatë takimit dypalësh në Tokio.
“Kjo do të jetë një marrëdhënie më e fortë se kurrë më parë,” shtoi ai, duke theksuar se nëse Japonia do të kishte nevojë për ndonjë ndihmë, Shtetet e Bashkuara do të ishin aty.



