Njësia B2 e Termocentralit “Kosova B” është jashtë funksionit tash e katër ditë, mëson televizioni Dukagjini nga burime të brendshme brenda Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).
Sipas informacioneve jozyrtare, ndalimi i prodhimit në këtë bllok ka ardhur si pasojë e rrjedhjeve në disa gypa të vjetër, defekt që ka detyruar ndërprerjen e punës.
Televizioni Dukagjini ka kërkuar të martën sqarime zyrtare nga KEK-u lidhur me ndaljen e B2-shit, por kompania nuk ka kthyer përgjigje deri në momentin e publikimit të këtij lajmi.
Burimet e televizionit kanë treguar se ekipet teknike po punojnë për rikthimin e njësisë në prodhim gjatë ditëve në vijim.
Më 28 shtator, KEK-u kishte njoftuar për kthimin në prodhim të Njësisë B2, pas përfundimit të rehabilitimit madhor dhe modernizimit të turbinës, në kuadër të projektit të realizuar me kompaninë “General Electric”, me vlerë rreth 56 milionë euro.
Për shkak të këtyre investimeve, njësia B2 kishte qëndruar jashtë funksionit që nga pranvera e këtij viti.
Megjithatë, kjo është hera e tretë brenda një muaji që kjo njësi ndalet, duke ngritur dyshime për probleme teknike të vazhdueshme.
E në rastet kur ndalet prodhimi vendor, Kosova detyrohet të importojë energji elektrike për të plotësuar nevojat e tregut. KEK-u deri më tani nuk ka konfirmuar nëse për shkak të ndërprerjes së B2-shit është dashur të blihet rrymë nga jashtë.
/Buletini Ekonomik



