Home / Lajme / Kosova / Anulohet thirrja e Ministrisë së Ekonomisë për mbështetje financiare të OJQ-ve, rishpallet thirrja për komisione vlerësuese

Anulohet thirrja e Ministrisë së Ekonomisë për mbështetje financiare të OJQ-ve, rishpallet thirrja për komisione vlerësuese

Ministria e Ekonomisë ka njoftuar anulimin e Thirrjes Publike të shpallur më 29 gusht 2025 për ofrimin e mbështetjes financiare për projektet e organizatave joqeveritare (OJQ), që kishin për qëllim promovimin e fushës së energjisë dhe teknologjisë së informacionit dhe komunikimit.

Sipas njoftimit zyrtar, anulohet e gjithë procedura, përfshirë edhe listën preliminare të përfituesve të publikuar më 8 tetor 2025 në faqen zyrtare të ministrisë. Siç thuhet, thirrja do të rishpallet dhe do të krijohen komisione të reja për vlerësim dhe shqyrtim ankesash, me qëllim garantimin e një procesi më transparent dhe të drejtë. Ministria njofton se për thirrjen e re do të bëhet publikimi me kohë.

Në të njëjtën kohë, Ministria e Ekonomisë ka rishpallur thirrjen publike për përzgjedhjen e anëtarëve të rinj të komisioneve vlerësuese, të cilët do të jenë pjesë e procesit të ri të vlerësimit të projekteve të OJQ-ve. Kjo thirrje synon përzgjedhjen e ekspertëve të jashtëm që do të kontribuojnë në procesin e vlerësimit të aplikimeve për mbështetje financiare në dy fusha kryesore: efiçienca e energjisë dhe burimet e ripërtëritshme, si dhe teknologjia e informacionit dhe komunikimit.

Afati i fundit për aplikim për regjistrimin në listën e ekspertëve të jashtëm është data 4 nëntor 2025.