Home / Lajme / Ndërkombëtare / Komisioni Evropian investon 3 miliardë euro në projekte të teknologjive të pastra

Komisioni Evropian investon 3 miliardë euro në projekte të teknologjive të pastra

Komisioni Evropian njoftoi sot se do të financojë projekte inovative në mbarë Evropën për të ulur ndotjen dhe emetimet e dëmshme për klimën, me një total prej 2,9 miliardë eurosh (rreth 3.3 miliardë dollarë). Në total, 61 iniciativa  janë përzgjedhur në 19 sektorë industrialë dhe 18 vende evropiane.

“Fokusi është te industritë me konsum të lartë energjie, energjia e rinovueshme dhe ruajtja e saj, mobiliteti dhe ndërtimet me emetime zero, prodhimi i teknologjive të pastra dhe menaxhimi industrial i karbonit”, thuhet në deklaratën e Komisionit.

Shumica e projekteve do të zhvillohen në Francë, Spanjë, Belgjikë, Finlandë dhe Norvegji, ndërsa dy projekte nga Gjermania janë gjithashtu përfshirë në listën e fituesve.

Sipas Komisionit, këto projekte kanë potencialin të kursejnë rreth 221 milionë ton CO₂ gjatë dhjetë viteve të para të funksionimit, ekuivalente me emetimet vjetore të afro 10 milionë makinave.

Financimi sigurohet nga të ardhurat e skemës së tregtimit të emetimeve të Bashkimit Evropian (EU ETS), që synon të mbështesë tranzicionin e bllokut drejt neutralitetit klimatik.