Më 2 dhjetor 2025, në Swiss Diamond Hotel në Prishtinë, do të mbahet edicioni i tretë i Forumit të Gjelbër – një prej ngjarjeve më të rëndësishme vjetore në vend që adreson tranzicionin klimatik dhe energjetik të Kosovës.
Forumi, i organizuar nga Balkan Green Foundation në kuadër të projektit Kosovo Green Action, synon të nxisë dialog gjithëpërfshirës mes institucioneve, ekspertëve, shoqërisë civile, mediave dhe të rinjve, me theks të veçantë tek transparenca dhe llogaridhënia në proceset e dekarbonizimit.
Programi i kësaj dite të plotë diskutimesh përqendrohet në dy panele kryesore. Paneli i parë, “Rruga Klimatike e Kosovës: A po i përmbushim pritshmëritë e Agjendës së Gjelbër?”, do të trajtojë angazhimet e vendit në kuadër të proceseve të BE-së dhe objektivat kombëtare për klimën.
Paneli i dytë, “A jemi në rrugën e duhur? Zbatimi i zotimeve për tranzicionin energjetik”, do të analizojë progresin e deritanishëm, sfidat strukturore dhe hapat urgjentë që duhet të ndërmerren për të përshpejtuar kalimin drejt një sistemi energjetik më të pastër dhe më të qëndrueshëm.


Në këtë edicion, Forumi sjell edhe një listë të ftuarish me përvojë të theksuar në qeverisje dhe zhvillim të qëndrueshëm. Ndër ta janë Dardan Sejdiu, Drejtor Ekzekutiv i Balkan Green Foundation; Kushtrim Canolli, ekspert i qeverisjes digjitale dhe politikave publike në Zyrën e Kryeministrit; si dhe Jane Sprouster, Zyrtare e Lartë Operacionale dhe Zëvendës Shefe e Zyrës së Bankës Botërore në Kosovë. Ata do të hapin forumin duke vendosur tone të qarta për një diskutim shumëpalësh mbi sfidat e qeverisjes së mirë, monitorimin e reformave dhe rritjen e transparencës në sektorin e energjisë.
Ngjarja ofron gjithashtu hapësira për rrjetëzim profesional dhe përfshirje të të rinjve përmes iniciativave të dizajnuara për të nxitur pjesëmarrjen e tyre aktive në politikat klimatike. Për organizatorët, qëllimi është i qartë: ndërtimi i një kulture më të fortë të llogaridhënies publike dhe një rruge më të besueshme drejt tranzicionit energjetik.
Forumi i Gjelbër organizohet nga Balkan Green Foundation, me mbështetjen e Bankës Botërore përmes Global Partnership for Social Accountability (GPSA), dhe në partneritet me Open Data Kosovo dhe Lëvizja FOL. Edicioni i sivjetëm pritet të shërbejë si një platformë kyçe për reflektim dhe veprim, teksa Kosova përballet me kërkesat në rritje për reforma të thella në sektorin e energjisë dhe klimës.



