Qeveria e koalicionit në Rumani ka miratuar një dekret që mundëson marrjen në kontroll të aseteve lokale të kompanive që janë nën sanksione ndërkombëtare, siç është Lukoil i Rusisë, shkruajnë N1 dhe Reuters.
Lukoil në Rumani, siç shkruan Reuters, ka 320 stacione benzine, operon rafinerinë e tretë më të madhe në vend dhe zotëron të drejta eksplorimi në det të hapur në një pjesë të Detit të Zi.
Rafineria, e cila siguron rreth një të katërtën e karburantit të Rumanisë, ka qenë e mbyllur për javë të tëra për mirëmbajtje, thuhet në tekst. Zyrtarët thanë se anëtari i Bashkimit Evropian ka rezerva të mjaftueshme për të shmangur një rritje çmimesh që mund të përkeqësojë më tej inflacionin, i cili aktualisht është më i larti në BE.
Sipas dekretit, qeveria mund të emërojë administratorë të posaçëm për kompanitë nëse sanksionet prishin sektorët ekonomikë, shkaktojnë rritje çmimesh ose kërcënojnë sigurinë energjetike. Miratimi paraprak i Këshillit Suprem të Mbrojtjes së Rumanisë është i detyrueshëm, shkruan kjo media.
Masa thuhet se është e ngjashme me një ligj të miratuar nga Bullgaria fqinje muajin e kaluar për të marrë përsipër rafinerinë Neftokhim të Lukoil, megjithëse nuk është ende e qartë nëse Rumania do t’i përdorë kompetencat e reja, raporton Reuters.
Në nëntor, Ministri i Energjisë Bogdan Ivan tha se tre kompani po negocionin drejtpërdrejt me Lukoil për të blerë asetet e saj rumune. Rregullorja gjithashtu i lejon Rumanisë të marrë përsipër të drejtat e eksplorimit të Lukoil në një pjesë të Detit të Zi. Licenca e eksplorimit të Lukoil skadon në gjysmën e parë të vitit 2026. Dy burime të Ministrisë së Energjisë i thanë Reuters se rezultatet fillestare të shpimit nuk tregonin gjetje të rëndësishme gazi.



