Sistemet mini-diellore me bateri po bëhen gjithnjë e më popullore. Ato janë të lira, të lehta për t’u instaluar dhe ulin kostot e energjisë elektrike. Ja çfarë duhet të dini.
Në Gjermani, më shumë se një milion pajisje të vogla diellore me prizë janë instaluar në tre vitet e fundit. E reja është se gjithnjë e më shumë prej tyre kanë edhe bateri, kështu që energjia elektrike e prodhuar mund të përdoret më vonë.
Panelet janë deri në dy metra katrorë në madhësi, dhe deri në katër copë mund të futen në një mini-instalim. Instalimi është i thjeshtë, pajisjet funksionojnë në mënyrë të besueshme si pajisjet e tjera shtëpiake. Energjia elektrike shkon nga moduli diellor nëpërmjet një transformatori dhe prize në rrjetin e shtëpisë.
Energji elektrike e lirë nga ballkoni juaj
Çmimet e paneleve dhe baterive në të gjithë botën kanë rënë ndjeshëm. Kjo është arsyeja pse sot, sistemet e ballkoneve me një bateri kushtojnë gjysmën e çmimit që kushtonin dy vjet më parë. Modelet më të vogla fillojnë nga rreth 200 euro, ndërsa ato më të mëdhatë me katër panele dhe një bateri mund të instalohen për më pak se 1.000 euro.
Në Gjermani, ato prodhojnë energji elektrike me një çmim prej 7 deri në 15 cent për kilovatorë – dukshëm më lirë se energjia elektrike nga rrjeti, e cila kushton mesatarisht pothuajse 40 cent.
Sipas Universitetit të Teknologjisë dhe Ekonomisë të Berlinit (HTW), investimi zakonisht shlyen shpenzimet e veta në katër deri në shtatë vjet. Pas kësaj, energjia elektrike që prodhoni vetë është falas. Në faqen e internetit të HTW ka një kalkulator të thjeshtë që ju tregon se cili instalim është i duhuri për shtëpinë tuaj dhe sa mund të kurseni.
Kohëzgjatja më shumë se 30 vjet
Panelet diellore mund të zgjasin më shumë se 30 vjet dhe të prodhojnë energji elektrike, thonë ekspertët. Kohëzgjatja e baterive është 10 deri në 15 vjet, thotë Volker Quaschning, profesor i sistemeve të energjisë së rinovueshme në HTW.
Katër panele dhe një bateri në Evropën Qendrore mund të mbulojnë rreth gjysmën e nevojave për energji elektrike të një familjeje me dy persona.
Më shumë diell – më shumë energji elektrike
Edhe pse ka shumë rajone me diell në botë ku sistemet diellore të ballkonit do të prodhonin më shumë energji elektrike sesa në Gjermani, “numri më i madh i pajisjeve diellore me prizë ende shitet në Gjermani. Diferenca në krahasim me vendet e tjera është shumë e madhe”, thotë David Breuer, drejtor i dyqanit online Juma në Këln.
Ka disa arsye për bumin: çmime më të ulëta, teknologji më e mirë dhe mbështetje politike. Nga viti 2023, Gjermania nuk do të ngarkojë TVSH-në për sistemet diellore private. Në qershor 2024, BE miratoi udhëzimet për pajisjet diellore me prizë. Dhe nga tetori 2024, qiramarrësit dhe pronarët e apartamenteve në Gjermani mund të instalojnë vetë panele diellore në ballkonet e tyre – pa burokraci ose elektricist.
Lejohen pajisjet me fuqi deri në 2.000 vat
Në shumicën e vendeve të BE-së, pajisjet mund të furnizojnë drejtpërdrejt deri në 800 vat energji elektrike në rrjetin shtëpiak. Ky limit mbron instalimin nga mbingarkesa dhe e bën të sigurt për t’u përdorur.
Gjermania dëshiron të bëhet neutrale ndaj klimës deri në vitin 2045. Panelet diellore mund të mbulojnë rreth dy përqind të nevojave të saj për energji elektrike deri atëherë, vlerëson profesoresha Claudia Kehmfert e Institutit Gjerman për Kërkime Ekonomike (DIW). Deri më tani, pjesa më e madhe e energjisë diellore vjen nga sistemet e vendosura në çatitë e shtëpive, të ndjekura nga parqet e mëdha diellore.
Para blerjes duhet të këshilloheni
“Është e rëndësishme të jeni të informuar mirë para se të blini një sistem”, thotë Tobias Otto nga Solarförderverein gjerman (SFV), i cili ofron këshilla të pavarura në konsulencën diellore.
Efektiviteti i kostos varet nga disa faktorë: sa panele do të vendosen në një ballkon, tarracë ose çati? Cili është pozicioni i diellit dhe në çfarë këndi duhet të instalohen panelet?
Çmimi i energjisë elektrike dhe konsumi janë gjithashtu të rëndësishëm. Bazuar në këto të dhëna, është e mundur të llogaritet se cili sistem ka kuptim për një shtëpi apo banesë.
Cilësia e produktit është gjithashtu e rëndësishme. Ekspertët këshillojnë të shmangin prodhuesit e lirë dhe shitësit me zbritje. Blerjet rekomandohet të bëhen në dyçane të specializuara për këto pajisje.



