Sot hyjmë në epokën e pavarësisë së plotë energjetike të Evropës nga Rusia, deklaroi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha të mërkurën se ishte një “ditë historike” për Bashkimin Evropian, pasi negociatorët arritën një marrëveshje të përkohshme për ndalimin e importeve të gazit nga Rusia dhe largimin gradual të karburanteve fosile ruse, duke deklaruar se Evropa po “e kthen atë faqe dhe po e mbyll atë përgjithmonë”.
Sipas Anadolu, ajo tha se BE-ja po hyn në një epokë të re të pavarësisë energjetike dhe theksoi se importet e gazit rus kanë rënë nga 45% në fillim të luftës në Ukrainë në vetëm 13% sot. Importet e qymyrit kanë rënë në zero, ndërsa ato të naftës nga 26% në vetëm 2%.
Sipas saj, përmes planit REPowerEU, BE-ja ka diversifikuar furnizuesit, ka nënshkruar partneritete të reja dhe ka rritur ndjeshëm investimet në energjinë e ripërtëritshme dhe atë bërthamore. Aktualisht, rreth 50% e energjisë elektrike në BE vjen nga burime të ripërtëritshme.
Paratë që më parë paguheshin për karburantet fosile ruse kanë rënë nga 12 miliardë euro në muaj në vetëm 1.5 miliardë euro, me synimin për t’u ulur në zero, shkruan AA.
Marrëveshja parashikon që importi i LNG-së ruse të përfundojë deri më 31 dhjetor 2026, ndërsa gazi përmes tubacioneve të ndalet deri në shtator 2027. BE-ja synon që deri në fund të vitit 2027 të ndërpresë plotësisht importet e mbetura nga Rusia.



