Sipas Janina Ymerit, për 11 muaj të vitit 2025 importi i energjisë elektrike në Kosovë ka arritur në rreth 250 milionë euro, shifër kjo më e larta ndonjëherë dhe ekuivalente me importin e pesë viteve të para para qeverisë Kurti.
“250 milionë euro import për 11 muaj – sa shkolla mund të ndërtoheshin, sa fëmijë mund të gëzonin, sa pacientë mund të shëroheshin. Por këto para po shkojnë për të mbuluar borxhet e Albin Kurtit ndaj asaj që unë e quaj ‘mafia energjetike’”, shkruan Ymeri në postimin e saj në rrjetet sociale.
Ajo gjithashtu thekson se ka shumë fronte të hapura, pasi qeveria ka dashur të fshehë shpenzimet e transportit të energjisë elektrike. Të dhënat e Doganës, sipas saj, nuk tregojnë origjinën reale të rrymës, ndërsa raporti i ZKM-së që pretendon se energjia ka ardhur nga Serbia dhe jo nga veriu i Europës, nuk mund të pranohet.
Ymeri kritikon Ministrinë e Energjisë për mohimin e përgjegjësisë në lidhje me importin, transportin dhe furnizimin e energjisë elektrike, duke theksuar se faturat po shfaqen në emër të institucioneve, pavarësisht përpjekjeve për të mbrojtur kryeministrin.
Ajo përmend gjithashtu shembullin e 5 prillit, kur importi nga Maqedonia e Veriut në Kosovë kushtoi 1.1 milionë euro, ndërsa drejtimi i kundërt ishte zero.
“Koha është që të bashkëpunojmë më shumë me Prokurorinë Speciale për të zbardhur këtë skemë sa më shpejt, dhe kur të vijë LDK, të sjellë zgjidhje adekuate dhe praktike. Në drite të bardhë, jo në terr me ‘mafian energjetike’”, përfundon Ymeri.



