Sindikata e Re e Korporatës Energjetike të Kosovës (SR-KEK) ka reaguar pas njoftimit që dha Korporata se nuk mund ta aprovojnë pagën e 13-të për punëtorët për shkak të një projekti që ka ndikuar drejpërdrejt në të hyrat e KEK-ut.
Në reagim Sindikata ka kujtuar se bordi i KEK-ut në korrik 2025 kishte deklaruar se Korporata kishte performancë të mirë financiare, kishte hapësirë ligjore dhe financiare për bonus 400 euro, dhe se mirëqenia e punëtorëve ishte prioritet strategjik.
“Sot, pas protestës së punëtorëve, po i njëjti Bord dhe Menaxhment deklarojnë se: gjendja financiare nuk e lejon pagën e 13-të dhe rritjen e pagave, duke e arsyetuar këtë me projektin e modernizimit të turbinave, i cili është proces i planifikuar dhe i domosdoshëm teknikisht.” – kanë thënë nga Sindikata e Re e KEK-ut më 12.12.2025.
Qasjen e KEK e konsiderojnë kontradiktore dhe të padrejtë, duke thënë se modernizimi i turbinave nuk është krizë, por investim strategjik, kurse investimet kapitale nuk guxojnë të përdoren si justifikim për të mbajtur pagat e punëtorëve “nën nivelin e dinjitetit”.
“Punëtorët nuk janë kosto, por janë ata që e mbajnë KEK-un funksional edhe gjatë rivitalizimeve, ndalesave dhe presioneve publike. Protesta e sotme nuk ishte politike dhe as e panevojshme – ajo ishte reagim i drejtë ndaj: pagave që nuk e ndjekin inflacionin, moszbatimit të pagës së 13-të, mosnivelizimit të pagave për sigurimin fizike, dhe vonesave të vazhdueshme në adresimin real të kërkesave.” – ka shtuar Sindikata.
Megjithatë, Sindikata e Re shprehet se e mirëpresin dialogun social, por vlerësojnë se dialogu pa vendime konkrete nuk mund të zëvendësojë drejtësinë sociale.
“Punëtorët nuk kërkojnë privilegje – kërkojnë trajtim të barabartë dhe respekt për kontributin e tyre jetik në sektorin energjetik të vendit.” – ka theksuar ajo.
Tutje, Sindikata e Re e KEK-ut ka thënë se mbetet e vendosur të vazhdojë përfaqësimin e interesit të punëtorëve, si dhe të kërkojë transparencë të plotë financiare e të mos lejojë që përgjegjësia e menaxhimit të bjerë mbi supet e punëtorëve.
“Punëtorët sot folën qartë. Zëri i tyre nuk mund të injorohet.” – ka theksuar Sindikata.
Në anën tjetër, KEK në njoftim tha se projekti i modernizimit të turbinave u ka zgjatur pesë muaj.
Kurse, mbrëmjen e datës 11.12.2025, bordi i drejtorëve, menaxhmenti i lartë i KEK-ut, është takuar me përfaqësuesit e Sindikatës së Re të KEK-ut.
“Gjatë takimit, përfaqësuesit sindikal u informuan se Bordi dhe Menaxhmenti mbeten plotësisht të gatshëm dhe të përkushtuar për të trajtuar të gjitha kërkesat e paraqitura nga punonjësit.” – thuhet në njoftim të KEK-ut, më 12.12.2025.
E përfaqësuesit sindikalë, KEK tha se kanë kërkuar që punonjësit të njoftohen në mënyrë më të detajuar lidhur me situatën reale financiare dhe operative të korporatës.
“Në këtë drejtim, u theksua se, përveç sigurimit shëndetësor dhe shujtës së dinjitetshme, së shpejti do të përfundojë edhe procesi i vlerësimit të rrezikshmërisë në punë — një proces me kosto të konsiderueshme, nga i cili do të përfitojnë të gjithë punonjësit sipas vlerësimit të vendit të punës” – ka theksuar KEK-u.
Korporata bashkë me bordin dhe menaxhmentin e saj kanë rekomanduar që dialogu social të vazhdojë si mekanizmi i vetëm i qëndrueshëm dhe efektiv për adresimin dhe zgjidhjen e kërkesave të punonjësve.



