Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka hapur tenderin për furnizimin dhe instalimin e transformatorit të ri energjetik T3A për njësinë A3 të Termocentralit “Kosova A”, me vlerë të parashikuar prej 550 mijë eurosh.
Sipas njoftimit për kontratë, bëhet fjalë për një transformator me kapacitet 20 MVA dhe tension 15.75/6.3 kV, ndërsa lokacioni i dorëzimit është përcaktuar në TC-A.
Kontrata parashihet të zgjasë 275 ditë nga data e dhënies së saj, ndërsa kriteri për përzgjedhjen e ofertës fituese është çmimi më i ulët, përcjell Energy Monitor.
Operatorët ekonomikë kanë afat që ofertat t’i dorëzojnë deri më 26 tetor 2026, në orën 13:00. Për tenderin është kërkuar edhe siguri e ofertës në vlerë prej 10 mijë eurosh. Njoftimi për kontratë është publikuar më 11 shtator me numër të prokurimit KEK-26-7505-1-1-1.
Tenderi vjen pas njoftimit të KEK-ut në korrik për planifikimin e furnizimit dhe instalimit të transformatorit T3A për njësinë A3.
Investimi është pjesë e ndërhyrjeve në pajisjet dhe infrastrukturën e “Kosova A”, ndërsa njësia A3 është një nga njësitë e termocentralit që vazhdon të jetë pjesë e sistemit vendor të prodhimit të energjisë elektrike.



