Home / Lajme / Kosova / Garancitë e origjinës: Kosova forcon përgatitjet për integrim në sistemin evropian

Garancitë e origjinës: Kosova forcon përgatitjet për integrim në sistemin evropian

Kosova po avancon gradualisht drejt ndërtimit të një sistemi funksional dhe të harmonizuar për Garancitë e Origjinës (GoO), një element kyç për integrimin në tregun evropian të energjisë dhe për rritjen e transparencës në sektorin e energjisë së ripërtëritshme.

Në këtë kuadër, Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) realizoi në nëntor 2025 një vizitë studimore në Suedi, me mbështetjen e projektit “Tranzicioni i Energjisë dhe Zbutja e Ndryshimeve Klimatike”, të zbatuar nga LuxDev dhe të financuar nga Dukati i Madh i Luksemburgut. Vizita kishte për qëllim harmonizimin e mëtejshëm të kornizës së Kosovës për Garancitë e Origjinës me Sistemin Evropian të Certifikimit të Energjisë (EECS).

Vizita në Suedi vjen pas anëtarësimit të Kosovës me të drejta të plota në Shoqatën e Entiteteve Lëshuese të Certifikatave të Origjinës (AIB), një hap kyç që i hap rrugë integrimit të plotë të sistemit kosovar të Garancive të Origjinës në kuadër të EECS.

Delegacioni i ZRRE-së u prit nga Agjencia Suedeze e Energjisë, autoriteti përgjegjës për lëshimin e Garancive të Origjinës dhe menaxhimin e regjistrit EECS në Suedi, si dhe nga Inspektorati i Tregjeve të Energjisë, institucioni mbikëqyrës për deklarimin e origjinës së energjisë elektrike.

Diskutimet u fokusuan në aspektet ligjore, teknike dhe operacionale të sistemit suedez të GoO-së, përfshirë funksionimin e regjistrave, zbatimin e rregullave EECS dhe mekanizmat e mbikëqyrjes. Përvojat suedeze u vlerësuan si relevante për Kosovën, veçanërisht në ndërtimin e një sistemi të besueshëm certifikimi që mbështet tregtinë ndërkufitare të energjisë së gjelbër.

Nga ana e saj, ZRRE prezantoi gjendjen aktuale të sektorit energjetik në Kosovë dhe progresin e bërë në zhvillimin e kornizës ligjore për Garancitë e Origjinës. Sipas rregullatorit, shkëmbimi i praktikave të mira do të shërbejë si bazë për reformat e mëtejshme dhe për forcimin e kapaciteteve institucionale.

Vendosja e një sistemi të plotë dhe të harmonizuar të Garancive të Origjinës konsiderohet hap i domosdoshëm për përmbushjen e kërkesave të acquis communautaire të Bashkimit Evropian, si dhe për rritjen e besueshmërisë së tregut të energjisë së ripërtëritshme në Kosovë.

Nëse përgatitjet ligjore dhe teknike përmbyllen me sukses, Kosova do të jetë më afër integrimit në mekanizmat evropianë të gjurmimit dhe certifikimit të energjisë së gjelbër, duke krijuar kushte më të favorshme për investime dhe për pjesëmarrje aktive në tregjet rajonale dhe evropiane të energjisë.