Home / Njoftime / Avaria në nënstacionin e Rahovecit shkakton ndërprerje të furnizimit në disa zona

Avaria në nënstacionin e Rahovecit shkakton ndërprerje të furnizimit në disa zona

Kompania Operatore e Sistemit, Transmetimit dhe Tregut (KOSTT) ka njoftuar se si pasojë e ngarkesës së lartë në sistem, sot rreth orës 14:00 ka ndodhur një avari në Nënstacionin Rahovec 110/35/10(20) kV, në anën 35 kV të objektit.

Sipas KOSTT-it, nga kjo avari kanë dalë jashtë funksionit dy transformatorë, TR1 dhe TR2, çka ka ndikuar drejtpërdrejt në furnizimin me energji elektrike për një pjesë të konsumatorëve në Rahovec, Malishevë dhe Xërxë.

Operatori bën të ditur se ekipet teknike janë në terren dhe po punojnë intensivisht për lokalizimin e shkakut të avarisë dhe rikthimin e furnizimit me energji elektrike në kohën më të shpejtë të mundshme dhe në kushte të sigurta.

KOSTT ka kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve të prekur nga ndërprerja, duke theksuar se publiku do të njoftohet rregullisht për zhvillimet e mëtejshme dhe për rikthimin e plotë të furnizimit me energji elektrike.