Home / Lajme / Kosova / Dhoma e Tregtisë alarmon për reduktime të rrymës: Bizneset po përballen me humbje të mëdha

Dhoma e Tregtisë alarmon për reduktime të rrymës: Bizneset po përballen me humbje të mëdha

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë ka ngritur alarmin për probleme serioze në furnizimin me energji elektrike, duke paralajmëruar për dëme të mëdha ekonomike që po u shkaktohen bizneseve në vend si pasojë e reduktimeve të shpeshta dhe të pa planifikuara të rrymës.

Në një komunikatë për media, DhTIK shpreh shqetësimin e thellë për, siç thuhet, reduktimet e ashpra të energjisë elektrike që po aplikohen pothuajse në të gjithë vendin, të cilat po ndikojnë drejtpërdrejt në funksionimin normal të sektorit privat.

Sipas Dhomës së Tregtisë, gjatë ditëve të fundit një numër i madh i bizneseve anëtare kanë raportuar ndërprerje të shpeshta dhe të paparalajmëruara të energjisë, duke shkaktuar rritje të menjëhershme të kostove operative, humbje në proceset e prodhimit dhe rrezikim serioz të vazhdimësisë së aktivitetit të tyre ekonomik.

DhTIK thekson se kjo situatë vjen në një moment tashmë të rënduar për bizneset, pas rritjes së çmimit të energjisë elektrike prej 16.1 për qind për konsumatorët e rregulluar, si dhe pas daljes së mbi 1,300 bizneseve në tregun e hapur të energjisë. Sipas Dhomës, këto zhvillime kanë prodhuar tashmë dëme të konsiderueshme ekonomike dhe po ndikojnë negativisht në konkurrueshmërinë e sektorit privat në Kosovë.

Në këtë kontekst, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë u bën thirrje institucioneve dhe të gjithë akterëve përgjegjës në sektorin energjetik që të ndërmarrin masa urgjente dhe konkrete për stabilizimin e furnizimit me energji elektrike. Po ashtu, kërkohet rritje e transparencës në menaxhimin e sistemit energjetik dhe krijimi i kushteve të qëndrueshme për funksionimin e bizneseve, me qëllim ruajtjen e vendeve të punës dhe stabilitetit ekonomik.