Miliona fëmijë rrezikojnë të përjetojnë rritje të ngadaltë nëse emetimet që bllokojnë nxehtësinë vazhdojnë ta pjekin planetin. Rreziqet e nxehtësisë ekstreme janë tashmë të përcaktuara qartazi, me Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) që paralajmëron se ekspozimi ndaj temperaturave të larta përkeqëson sëmundjet themelore, siç janë sëmundjet kardiovaskulare, diabeti dhe astma, ka raportuar të hënën (22.12.2025) televizioni Euronews.
Këtë verë, rreth 24,400 njerëz vdiqën si pasojë e valëve të nxehtësisë që dogjën pjesë të mëdha të Europës. Pa ngrohjen e shkaktuar nga aktivitetet njerëzore, shkencëtarët thonë se 16,500 nga këto vdekje mund të ishin shmangur, që do të thotë se ndryshimi i klimës ishte përgjegjës për trefishimin e numrit të vdekjeve.
Tani, studiuesit në “UC Santa Barbara” kanë paralajmëruar se rreziqet e motit ekstrem janë nënvlerësuar prej kohësh dhe shtrihen shumë më shumë sesa e kuptojnë shkencëtarët dhe mjekët.
Si po e përkeqëson lagështia ndikimin e nxehtësisë ekstreme
Raporti i ri i botuar në “Science Advances”, ka vënë në pah se lagështia përkeqëson rezultatin e nxehtësisë ekstreme krahasuar vetëm me temperaturat e larta. Kjo ndodh kryesisht për shkak se njerëzit ftohen duke u djersitur, por avullimi ngadalësohet kur ajri është i lagësht.
“E gjithë ajo nxehtësi grumbullohet në trupin tonë, duke shkaktuar stres”, paralajmëron autorja kryesore, Katie McMahon, duke shpjeguar se kjo mund të ndodhë edhe kur temperaturat janë të ulëta, por lagështia është e lartë.
Gratë shtatzëna janë veçanërisht të ndjeshme ndaj stresit nga nxehtësia për një numër arsyesh, duke përfshirë peshën e shtuar dhe ndryshimet hormonale që i bëjnë më të ndjeshme ndaj mbinxehjes.
Stresi nga nxehtësia mund të shkaktojë lindje të parakohshme në fund të shtatzënisë, duke rezultuar në probleme zhvillimore dhe shëndet të dobët tek fëmijët që mund të jenë të vështira që të tejkalohen.
“Moti ekstrem shumë më tepër dëmton sesa vret njerëz”, ka shtuar McMahon, duke argumentuar se përqendrimi vetëm në vdekshmëri lë anash një pjesë të madhe të mënyrës sesi këto kushte ndikojnë në jetën tonë.
A mund ta pengojë ndryshimi i klimës rritjen e fëmijëve?
Studiuesit kanë analizuar raportin e gjatësisë së një fëmije krahasuar me mesataren për moshën e tyre, e cila përdoret zakonisht si një tregues shëndetësor kronik për fëmijët nën moshën pesë vjeç.
Ata nxjerrë përfundimin se shumica e fëmijëve që përjetuan rritje nxehtësie dhe lagështie gjatë çdo tremujori para lindjes do të jenë 13 % më të shkurtër për moshën e tyre sesa pritej. Në të kundërt, rritja e ekspozimit ndaj nxehtësisë ekstreme vetëm përkthehet në një ulje prej një për qind të gjatësisë për moshën.
Studimi është kryer te gratë shtatzëna që jetojnë në Azinë Jugore, të cilat, sipas shkencëtarëve, mund të goditen veçanërisht rëndë nga nxehtësia ekstreme në vitet e ardhshme.
Nëse ekspozohen ndaj kushteve të pritshme deri më 2050 sipas një skenari me emetime të larta, rreth 3.5 milionë fëmijë do të përjetojnë pengesa në rritje vetëm në rajonin e studimit.
“Edhe nëse shoqëritë arrijnë të kufizojnë ngrohjen në 2 shkallë Celsius mbi nivelet paraindustriale, Azia Jugore pritet të vuajë çdo vit nga ngjarje vdekjeprurëse të nxehtësisë”, shkruajnë autorët.



