Bllokada dhe pirateria kundër burimeve energjetike të Venezuelës do të ketë një ndikim negativ në eksportin e naftës dhe burimeve të energjisë, do të rrisë paqëndrueshmërinë në tregjet globale dhe do të ketë një efekt negativ në ekonomitë e vendeve të Amerikës Latine dhe Karaibeve, paralajmëroi udhëheqësi venezuelian, paralajmëroi presidenti i Venezuelës, Nicolás Maduro.
Ai iu referuar pranisë së madhe ushtarake të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Karaibe dhe operacioneve të Rojës Bregdetare të SHBA-së – që synojnë cisternat e naftës të sanksionuara në rajon.
“Burimet energjetike nuk duhet të përdoren si instrument i konfrontimit ushtarak dhe presionit politik”, tha Maduro në një letër drejtuar shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara, të cilën ministri i Jashtëm Yván Gil e lexoi sot në një konferencë për shtyp.
Në letër, Maduro dënoi sulmet e SHBA-së ndaj anijeve të dyshuara për kontrabandë droge, – për të cilat tha se ishin vrarë mbi 100 persona në muajt e fundit – si dhe bllokadën e anijeve cisternë që udhëtojnë për në ose nga Venezuela.
“Nëse përdorimi i njëanshëm i forcës, ekzekutimi i civilëve, pirateria dhe plaçkitja e burimeve të shteteve sovrane tolerohen, bota po shkon drejt një përballjeje globale me përmasa të paparashikueshme”, thuhej në letër.
Roja Bregdetare e SHBA-së, që vepron nën drejtimin e Departamentit të Sigurisë Kombëtare, kohët e fundit ka sekuestruar dy anije cisternë në Karaibe.
“Që nga e diela, ajo ka qenë duke ndjekur edhe një anije të tretë, e cila thuhet se është pjesë e të ashtuquajturës “flotë hije” – që Venezuela po përdor për të anashkaluar sanksionet”, sipas raportimeve të medias.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi së fundmi se do të vendoste një bllokadë të plotë për të gjitha anijet cisternë të sanksionuara që hyjnë dhe dalin nga Venezuela.
Trump e justifikoi këtë veprim duke pretenduar se vendi i Amerikës së Jugut kishte vjedhur naftë, tokë dhe asete të tjera nga SHBA-ja, të cilat duhej të ktheheshin.
SHBA sanksionon anëtarë të familjes së Maduro-s në përpjekje për të shtypur regjimin
Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione të reja ndaj shtatë personave të lidhur me Presidentin venezuelian Nicolás Maduro dhe gruan e tij, në vijim të një fushate shtypjeje të vazhdueshme ndaj qeverisë së Karakasit, njoftuan autoritetet amerikane më 19 dhjetor 2025.
Sanksionet, të vendosura nga Departamenti i Thesarit të SHBA-së, synojnë individë që Uashingtoni i ka identifikuar si mbështetës të regjimit që ai e quan “narco-shtet” dhe që, sipas autoriteteve amerikane, kontribuojnë në korrupsion, kontrabandë dhe praktikime të dëmshme ekonomike brenda strukturave të qeverisë venezueliane.
Mes të sanksionuarve janë anëtarë afër familjes së Carlos Erik Malpica Flores, nipi i gruas së Maduro-s, Cilia Flores, si dhe dy anëtarë të familjes së Ramon Carretero Napolitano, një biznesmen panamez që ishte target i sanksioneve amerikane për dyshime lidhur me veprimtari korruptive dhe mashtruese për llogari të shtetit venezuelian. Këta individë do të shohin të gjitha pasuritë e tyre të ngrira në SHBA, ndërsa u ndalohet qasja ose përdorimi i sistemit financiar amerikan.
Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, deklaroi se veprimet synojnë të godasin rrjetet e regjimit që, sipas tij, vazhdojnë “të kërcënojnë paqen dhe stabilitetin në hemisferë” dhe të mbështesin praktika të paligjshme që dëmtojnë ekonomitë dhe sigurinë rajonale. Maduro dhe qeveria e tij mohojnë çdo lidhje me krimin e organizuar dhe akuzat për korrupsion, duke e paraqitur fushatën e sanksioneve si përpjekje të Shteteve të Bashkuara për ndryshim regjimi dhe kontroll të rezervave të mëdha të naftës të Venezuelës.
Veprimi i fundit vjen në një kohë kur administrata amerikane ka intensifikuar presionin ndaj Karakasit me masa të tjera, përfshirë bllokadë të naftës dhe forcim të pranisë ushtarake në Karaibe, si pjesë e strategjisë së saj gjeopolitike në Amerikën Latine. Maduro ka kundërshtuar ashpër këto masa, duke i quajtur ato si prova të “ndërhyrjes së jashtme” dhe një sulm ndaj sovranitetit të Venezuelës.



