Home / Lajme / Mjedisi / Korridor i Gjelbër në Obiliq, ndërhyrje urbane kundër ndotjes së ajrit pranë Kosovës B

Korridor i Gjelbër në Obiliq, ndërhyrje urbane kundër ndotjes së ajrit pranë Kosovës B

Një ndërhyrje e vogël me ndikim të madh është realizuar pranë termocentralit Kosova B, në një zonë ku ndotja e ajrit prek çdo ditë komunitetet përreth.

Korridori i Gjelbër është zhvilluar përmes një procesi bashkëkrijimi ndërmjet UNDP City Experiment Fund Kosovo dhe Komunës së Obiliqit. Ky projekt shërben si një ndërhyrje eksperimentale që synon të adresojë ndotjen e ajrit si një sfidë komplekse urbane.

Duke kombinuar zgjidhje të bazuara në natyrë me sisteme inteligjente të ujitjes, projekti demonstron se si veprime të integruara mund të gjenerojnë ndikim konkret, duke qenë njëkohësisht të shkallëzueshme dhe të aplikueshme edhe në kontekste të tjera urbane, në funksion të qyteteve më të shëndetshme dhe më rezistente.

Në procesin e mbjelljes së drunjve morën pjesë edhe nxënës të Gjimnazit “17 Shkurti”, ku secili nxënës u bë kujdestar i një druri të mbjellë në emrin e tij.

“Mbjellja e drunjve në këtë lokacion strategjik, ku oxhaqet janë gjithmonë të dukshme dhe pluhuri ndihet çdo ditë, ka një domethënie të veçantë për ne”, tha Ermal Ismajli, nxënës në Gjimnazin “17 Shkurti”.

Projekti është zbatuar nga UNDP City Experiment Fund Kosovo dhe mbështetur nga Ministria e Financave e Republikës së Sllovakisë.