Hoti ka thënë se brenda një viti duhet të nisë ndërtimi i kapaciteteve të reja për furnizim me energji elektrike.
Ish-kryeministri i Kosovës dhe kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për deputet, Avdullah Hoti, ka deklaruar se Qeveria e ardhshme duhet urgjentisht të zgjidhë çështjen e furnizimit me energji elektrike dhe çmimet e larta të faturave.
Hoti, përmes një postimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka thënë se me liberalizimin e tregut të energjisë, bizneset që janë detyruar të dalin në tregun e hapur po përballen me fatura trefish më të larta.
“Pavarësisht kësaj, furnizimi nuk është i rregullt, duke i detyruar të ndërpresin prodhimin. Si rezultat, bizneset e Kosovës po e humbin tregun dhe po bëhen jokonkurruese karshi bizneseve të jashtme”, ka shkruar ai.
Ai ka vlerësuar se Kosova duhet t’u rikthehet dy projekteve dhe se brenda një viti duhet të nisë ndërtimi i kapaciteteve të reja.
“Kosova sot përballet me pasiguri në furnizimin me energji dhe kosto shumë të larta, pasi janë anuluar dy projekte që do ta kishin zgjidhur për një periudhë të gjatë furnizimin me energji: projekti ‘Kosova e Re’, për të cilin shteti i Kosovës ka paguar 20 milionë euro dëmshpërblim, si dhe projekti i gazit”.
Rritja më e madhe e çmimit të energjisë elektrike në Kosovë është regjistruar gjatë dy viteve të fundit, duke rënduar më tej faturat e konsumatorëve dhe duke ngritur shqetësime mbi përballueshmërinë e kostove energjetike për qytetarët dhe bizneset. Megjithatë, qytetarët vazhdojnë të përballen me mungesë të energjisë elektrike.
Gjatë vitit 2024, shumë komuna të Kosovës u përballën me reduktime të energjisë elektrike.
Për shkak të vjetërsisë disa dekadëshe të termocentraleve “Kosova A” dhe “Kosova B”, Kosova nuk mund ta sigurojë energjinë e nevojshme për mbi 1.6 milionë banorët e saj.
Prodhim ka edhe nga burimet e ripërtëritshme, por në sasi më të vogla. Prodhimi i pamjaftueshëm bën që një pjesë e konsiderueshme e furnizimit të sigurohet përmes importeve, të cilat janë të shtrenjta.



