Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka realizuar 97% të planit vjetor të prodhimit të energjisë elektrike për vitin 2025, sipas Bilancit Vjetor Energjetik të miratuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE). Ky rezultat është arritur pavarësisht sfidave teknike dhe ndërhyrjeve kapitale të nevojshme për modernizimin e njësive gjeneruese.
Gjatë vitit, KEK ka zhvilluar një periudhë intensive punimesh që ka përfshirë modernizimin e turbinës në njësinë B2, realizimin e remonteve të rregullta vjetore, si dhe zbatimin e projekteve kapitale në njësitë B1, B2 dhe A3. Këto ndërhyrje kanë synuar rritjen e sigurisë, stabilitetit dhe qëndrueshmërisë së operimit të sistemit prodhues.
Të dhënat mujore tregojnë se në disa muaj prodhimi ka tejkaluar planin, duke arritur deri në 110%. Një dallim i theksuar vërehet në dhjetor, ku realizimi i prodhimit ka kaluar nga 76.5% në dhjetor 2024 në 102% në dhjetor 2025.

Ky përmirësim lidhet drejtpërdrejt me përfundimin e remonteve, ndërhyrjet modernizuese, rënien e temperaturave dhe operimin paralel të pesë njësive gjeneruese. Periudhat me realizim më të ulët kanë qenë kryesisht pasojë e fazave intensive të punimeve të planifikuara.
Në nivel vjetor, KEK ka arritur të ruajë stabilitetin e sistemit energjetik dhe të përmbushë objektivat kryesore të prodhimit. Realizimi prej 97% reflekton angazhimin e stafit teknik dhe operacional, si dhe koordinimin menaxherial gjatë një viti të shënuar nga sfida teknike dhe procese transformuese. Ky rezultat konfirmon se procesi i modernizimit po zhvillohet paralelisht me ruajtjen e funksionimit të qëndrueshëm të sistemit energjetik të Kosovës.



