Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka përmendur disa prej gjetjeve kryesore të hulumtimit të Buletinit Ekonomik për importin e energjisë elektrike për Kosovën, në margjina të Forumit Ekonomik Botëror, në Davos, ku po merr pjesë bashkë me kryeministrin Kurti.
Rizvanolli ka akuzuar Serbinë se ka bllokuar linjën e saj për Kosovën, duke krijuar kështu ngarkesë në linjat tjera prej nga importon Kosova energji elektrike.
“Serbia refuzon të alokojë kapacitete, për të lejuar tregti në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ndikimi i kësaj është shumë i dukshëm dhe shumë i rëndë, sepse krijon ngarkesë në linjat tona të tjera të transmetimit. Si rezultat i kësaj, vitin e kaluar ka pasur orë të caktuara kur çmimi i kapaciteteve ndërkufitare ka shkuar deri në 800 euro për MWh”, ka thënë Rizvanolli në një debat të organizuar për energji në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës.
Sipas Rizvanollit, me 16 dhjetor 2025, në Këshillin Ministror të Komunitetit të Energjisë është marrë një vendim që e obligon Serbinë të lejojë tregtinë deri më 1 korrik 2026, gjë që sipas saj, kjo do të ketë “ndikim të drejpërdrejtë në çmimet e rrjedhave ndërkufitare të energjisë elektrike dhe në sigurinë tonë energjetike”.
Kjo është hera e dytë që Rizvanolli iu ka referuar gjetjeve të hulumtimit të publikuar në Buletini Ekonomik vitin e kaluar për importin e energjisë elektrike.
Hulumtumi zbardhë një skemë të tregtarëve të energjisë që kishte cak Kosovën, të cilët dyshohen se manipuluan tregun përmes linjave të transmisionit, duke ngritur kostot për bartje të energjisë deri në 800 euro për megavatë orë.
Herën e kaluar Rizvanolli, pati shpërndarë një video nga një mbledhje e Këshillit të Ministrave të Komunitetit të Energjisë me bazë në Vjenë, ku janë ngritur disa prej gjetjeve nga hulumtimi i publikuar në Buletini Ekonomik, rreth kostove enorme për transmision apo bartje të energjisë elektrike për importet e Kosovës.
Në mbledhjen e Komunitetit të Energjisë, ministrja Rizvanolli ka përmendur bllokimin e linjës së transmisionit Kosovë – Serbi, si një nga arsyet kryesore për rritje të kostove në importet e Kosovës.
Komuniteti i Energjisë, është një organizatë ndërkombëtare e themeluar në mes të Bashkimit Evropian (BE) dhe një numër i shteteve të treta për të zgjeruar tregun e brendshëm të energjisë të BE-së në Evropën Juglindore dhe më gjerë.
“Kjo duhet të trajtohet me prioritet të lartë për tregun rajonal, për shkak se si pasojë e kësaj deri në 600 MË në kufirin Kosovë-Serbi mbeten të pashfrytëzuara për shkëmbime komerciale, duke minuar drejtpërdrejt integrimin e tregut dhe sigurinë e furnizimit. Për të ilustruar ndikimin financiar të kësaj cështjeje: vetëm me 2 dhjetor 2024, gjatë orëve të pikut, nga ora 09:00 deri në 10:00 dhe nga ora 14:00 deri në 21:00, kërkesa për kapacitete ndërkufitare me Malin e Zi arriti në 551 megavat, ndërsa kapaciteti i disponueshëm ishte vetëm 192 megavat. Si pasojë cmimi i kapacitetit të transmsionit u rrit në 701 euro për megavat orë, një nivel jo normal, disa herë më i lartë se vetë cmim i energjisë elektrike”, kishte thënë Rizvanolli me këtë rast.
Ndryshe gjatë vitit 2024, Buletini Ekonomik ka publikuar në seri hulumtimin rreth importit të energjisë elektrike për Kosovën gjatë vitit 2024.



