Sot mbahet mbledhja e parë e Bordit të ZRRE-së për vitin 2026. Në këtë mbledhje pritet të merret vendimi për përcaktimin e Furnizuesit të Mundësisë së Fundit (FMF), rol që deri më tani është ushtruar nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK).
Agjenda e mbledhjes është relativisht e shkurtër dhe përfshin dy pika kryesore: (i) zgjedhjen e Furnizuesit të Mundësisë së Fundit dhe (ii) përcaktimin e tarifave për Operatorin e Tregut të Energjisë (NEMO), rol që aktualisht ushtrohet nga ALPEX.
Furnizuesi i Mundësisë së Fundit (FMF), sipas legjislacionit në fuqi, ka për obligim të sigurojë furnizim të garantuar me energji elektrike në raste të caktuara, si: falimentimi ose humbja e licencës nga një furnizues me pakicë, apo kur një konsumator i parregulluar nuk ka arritur të ripërtërijë kontratën ekzistuese ose të lidhë një kontratë të re furnizimi.
Në qershor të vitit të kaluar, me rastin e liberalizimit të tregut të energjisë, një numër i madh biznesesh u shkëputën nga KESCO si Furnizues i Shërbimit Universal (FSHU), ndërkohë që ende nuk kishin siguruar furnizues në tregun e lirë. Në këto rrethana, KEK ka operuar si furnizues i tyre, pasi ZRRE e kishte caktuar Korporatën Energjetike të Kosovës si Furnizues të Mundësisë së Fundit për një periudhë gjashtëmujore, nga 31 gusht 2025 deri më 31 janar 2026.
Sipas Ligjit për Energji Elektrike, furnizimi i garantuar përmes FMF-së është shërbim i përkohshëm, i kufizuar në një periudhë maksimale prej 60 ditësh, dhe i nënshtrohet çmimeve të përcaktuara në përputhje me Rregullën dhe Metodologjinë për Furnizuesin e Mundësisë së Fundit.
Pika tjetër e agjendës ka të bëjë me përcaktimin e tarifave për ALPEX, të cilat pritet të vlejnë për periudhën rregullatore 2026–2028.



